Dështon projekti Rasunda!
10 mijë copë ulëse të parapara për stadiumin e Prishtinës, sipas të gjitha gjasave nuk do të vendosen aty, kjo pasi që nuk i përshtaten shkallëve të stadiumit. Këtë fakt e konfirmon edhe drejtori i KF Prishtinës, Sokol Krasniqi.
“Është fakt se kemi një problem me ato ulëse, pasi që nuk i përshtaten shkallëve të stadiumit. Ekspertët e Komunës së bashku me firmën që do të implementojnë projektin, kanë konstatuar se është problem. Gjithsesi, ata kanë mbetur ta rishikojnë edhe ndonjë mundësi tjetër dhe pastaj të marrin vendimin përfundimtar”, tha Krasniqi, duke lënë të kuptohet se mund të ndodhë që ato karrige fare mos të vendosen aty.
“Ne nuk mund të bëjmë asgjë në këtë rast, ai është donacion i ardhur nga Suedia dhe ato karrige janë zhvendosur nga një stadium tjetër. Se cili do të jetë fati i tyre nuk e dimë”, tha Krasniqi.
Burime të gazetës na thonë se Komuna e Prishtinës ka qenë duke e shqyrtuar mundësinë e sjelljes së karrigeve tjera në stadium, por pas ndërrimit të qeverisë komunale, gjërat tashmë kanë ndryshuar dhe pritet gjithçka të zbardhet pas kalimit të pushtetit te partia e re fituese në Komunën e Prishtinës.
“Sigurisht që do t’iu gjendet vendi. Komiteti Ekzekutiv shpejt do të ulet dhe do të bisedojmë për këtë çështje. Do të shikojmë mundësinë se cili stadium i përshtatet dhe ka nevojë për to dhe atje do të shkojnë. Bëhet fjalë për një donacion shumë të madh dhe nuk do të lejojmë të shkojë dëm”, tha sekretari i FFK-së, Eroll Salihu. /Zëri/Telegrafi/


