Please enter at least 3 characters.

Derbi i takon Pejës

2016/01/derbi-i-takon-pej-euml-s_hd.jpg

Palestra Karagaçi edhe sonte ishte mbushur përplot me tifozët pejanë dhe Shqiponjat në anën tjetër që dhuruan atmosferë impozante gjatë tërë takimit.

Ndeshja nisi me një ritëm të lartë të Pejës, të cilët realizuan një seri prej 8-2. Sidoqoftë, pas një pushimi njëminutësh, Bardhekaltërit me Dardan Berishën e rikthyer nga lëndimi filluan ta zbusin disavantazhin dhe e mbyllën çerekun e parë me vetëm dy pikë dallim, 19-17.

Me të filluar çereku i dytë, Prishtina lëshoi një breshëri të trepikëshave mbi koshin e pejanëve për të krijuar një epërsi prej 10 pikësh(27-37), mirëpo pastaj vendasit u rikthyen në lojë përmes pikëve të Nick Wise dhe Jozo Brkiq dhe shkuan në pushim me gjashtë pikë disavantazh, 36-42.

Prishtina dominoi në minutat e para të çerekut të tretë përmes pikëve të Dardan Berishës, mirëpo pastaj pejanët u rikthyen në lojë përmes shënimeve të njëpasnjëshme të Wise, ndërsa Alban Veseli e barazoi rezultatin në 57-57. Sidoqoftë, në sekondat e fundit Trajkovski shënoi një trepikësh për t’i dhuruar Bardhekaltërve një epërsi prej tre pikëve, 57-60.

Çereku i katërt ishe shumë dramatik, ku edhe pati shumë përmbysje të rezultateve. Fillimisht Peja arriti të dalë në epërsi përmes një trepikëshi të Alban Veselit(69-68), mirëpo Mavunga me shënimet e tij i riktheu përsëri epërsinë Bardhekaltërve(76-77). Sidoqoftë, Wise si një lider i vërtetë e mori lojën në dorë dhe me shënimet e tij ia siguroi Pejës një fitore dramatike me tre pikë epërsi, 82-79.

Më i miri në këtë ndeshje pa dyshim se ishte Nick Wise me 30 pikë, ndërsa te Prishtina u dallua Trajkovski me 25 sosh.

Pas kësaj fitoreje, Peja mbetet në pozitën e dytë në tabelë me 43 pikë, me një pikë më pak se Sigal Prishtina në vendin e parë. /Telegrafi/