Dënohet me 15 vite burg shqiptari që tentoi të organizonte sulmin terrorist në koncertin e Taylor Swift në Vjenë
Një 21-vjeçar shqiptar nga Austria është dënuar me 15 vjet burg, pasi u shpall fajtor për planifikimin e një sulmi xhihadist ndaj një koncerti të Taylor Swift në Vjenë, gjatë turneut të saj “Eras Tour” në gusht të vitit 2024.
Sipas BBC-së, i riu – i identifikuar vetëm si Beran A, në përputhje me ligjet austriake të privatësisë – u dënua gjithashtu edhe për një sërë veprash të tjera të lidhura me terrorizmin.
Beran A u arrestua pak para koncertit të parë nga tre shfaqjet e planifikuara në stadiumin "Ernst Happel" në Vjenë, pas një informacioni të ardhur si sinjalizim nga CIA. Menjëherë pas kësaj, të tri koncertet e planifikuara u anuluan, duke zhgënjyer rreth 200 mijë fansa.
Taylor Swift kishte deklaruar më herët se rasti i kishte sjellë “një ndjenjë të re frike”, ndërsa anulimi i koncerteve i kishte lënë edhe “një ndjenjë të madhe faji”. Megjithatë, ajo falënderoi autoritetet, duke shkruar se falë tyre “po vajtonin për koncerte të humbura dhe jo për jetë të humbura”.
Prokurorët thanë se Beran A ishte radikalizuar dhe kishte bërë betimin e besnikërisë ndaj Shtetit Islamik (IS). Ata shtuan se i riu kishte tentuar – por pa sukses – të siguronte armë në mënyrë të paligjshme, përfshirë edhe një mitraloz dhe një granatë dore.
Një psikiatër i gjykatës, Peter Hoffmann, deklaroi se i akuzuari nuk shfaqte shenja sëmundjeje mendore dhe se nuk kishte “asnjë shpjegim psikiatrik” për radikalizimin e tij.
Procesi gjyqësor u zhvillua në Wiener Neustadt, në jug të Vjenës. Në të njëjtin rast u gjykua edhe një tjetër 21-vjeçar, Arda K nga Sllovakia, i akuzuar se ishte pjesë e një qelize të lidhur me IS-in. Ai u dënua me 12 vjet burg, megjithëse sipas BBC-së nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në planin për sulmin ndaj koncertit.
Beran A i tha gjykatës se ishte “i penduar”, para se juria të tërhiqej për disa orë për të marrë vendimin. /Telegrafi/


