Please enter at least 3 characters.

Delegacion i kurorës së Shqipërisë

Ali Asllani (i shënjuar) në krah të Sami Vrionit

Nga: Kastriot Dervishi

Për të ofruar kurorën shqiptare në Itali, sipas vendimeve të Asamblesë së 12 prillit 1939, më 14 prill 1939 u nis në Itali një delegacion shqiptar i kryesuar nga Xhafer Ypi dhe kryeministri Shefqet Vërlaci. Dërgata përbëhej nga 42 anëtarë, por iu shtuan edhe gjashtë të tjerë, duke e çuar numrin në 48 persona. Ata ishin bërë bashkë për dy arsye, disa nga zelli e disa nga frika.

Klasa politike e kohës shënoi një veprim të pamatur. Kishte ndër ta firmëtarë të pavarësisë, ish-ministra, ish-deputetë, ish-prefektë etj. Madje, në listë ishte edhe djali i hallës së Ahmet Zogut, Dervish Biçakçiu. Disa të tjerë, për ironi, më vonë ishin pjesë e Kuvendit Kombëtar i cili më 22 tetor 1943 rrëzoi vendimet e Asamblesë së 12 prillit 1939. Por, po ashtu, një nga delegacioni, Faik Shehu, u zgjodh deputet më 2 dhjetor 1945 dhe u pushkatua dy vjet më vonë.

Më 15 prill 1939, Qeveria italiane pasi mori parasysh vendimin e Këshillit të Madh Fashist, miratoi një projektligj të cilin ia dha për miratim të nesërmen Dhomës dhe Senatit. Në këtë projektligj thuhej se Mbreti i Italisë, Vittorio Emanuele III, pasi pranoi Kurorën e Shqipërisë, merrte edhe titullin “Mbret i Italisë dhe i Shqipërisë, Perandor i Etiopisë”.

Më 16 prill 1939, ditën e dorëzimit të kurorës, Dhoma Fashiste Korporative (dhe më pas Senati), në prani të delegacionit shqiptar, miratoi ligjin me 2 nene, në thelb të të cilit ishte bashkimi i dy kurorave mbretërore. Mbajtën fjalime rasti: Vërlaci, Musolini dhe Ciano.

Në delegacion ishte edhe poeti i njohur, ish-diplomati Ali Asllani, në foto i shënjuar në krah të Sami Vrionit.