Deklarata e ministres serbe për spastrim etnik në Kosovë, Balla: Një tjetër njollë turpi e neveritshme
“Një tjetër njollë turpi të neveritshme”, e ka cilësuar shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Shqipëri, Taulant Balla, deklratën e ministers serbe, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Balla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar: “Ne shqiptarët kemi një shprehje për ujkun, por anglezët kanë një shprehje të ngjashme: ‘Leopardi nuk mund t’i ndryshojë njollat e tij’. Kjo deklaratë e një ministri serb është një tjetër njollë turpi të neveritshme”.
Deklaratat e saj kanë nxitur reagime edhe në Kosovë, në BE dhe në Serbi.
Bashkimi Evropian ka dënuar deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, deklaroi se, megjithëse BE-ja nuk komenton deklarata individuale, në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.
Edhe nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) në Serbi, kërkoi sot shkarkimin e menjëhershëm të Ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, për shkak të gjuhës së urrejtjes në një deklaratë shoviniste se ajo do ta pastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët në vitin 1998, duke vlerësuar se ky ishte një avokim i vetëdijshëm i persekutimit etnik.
Duke deklaruar se shpjegimi i saj i mëvonshëm se ajo nënkuptonte dëbimin e njerëzve në "vendin e tyre të origjinës" konfirmon se ky nuk ishte një formulim i shqiptuar në mënyrë të ngathët, PSG theksoi në një deklaratë se ata janë gjithashtu të shqetësuar nga deklaratat e saj në të cilat shqiptarët portretizohen si qenie inferiore në një mënyrë raciste.
Reagim pati edhe nga deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip i cili tha se deklaratat fashiste të ministrave të qeverisë tregojnë më së miri se Serbia e Millosheviqit vazhdon të mbetet e njejtë.
Sipas tij, deklarata e Paunoviq, se po të ishte në vend të Slobodan Milosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën, është skandaloze, e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional. /Telegrafi/


