Rasti Sheholli, Deda: Teksti "Top Secret 2" nuk është shkruar nga dikush që serbishten e ka gjuhë amtare, autori duhet të zbulohet
Ish-deputeti, Ilir Deda ka reaguar sot lidhur me një nga materialet e gjetura në telefonin e Fatmir Shehollit, të akuzuar për spiunazh dhe shantazh.
Në dokumentin e gjetur në telefonin e Shehollit, e që është e përfshirë në aktakuzë është një fotografi e gjetur gjatë analizimit të 20,914 imazheve në telefonin e Shehollit.
Sipas Prokurorisë, fotografia mbante mbishkrimin “Top sekret 2” dhe përmbante tekst në gjuhën serbe me karakter konfidencial.
Dokumenti përshkruan një plan që, sipas interpretimit të Prokurorisë, synonte krijimin e perceptimit të Kosovës si vend i radikalizuar fetarisht dhe destabilizimin e saj, ku shënohet “top sekret”.
E lidhur me këtë dokument "Top Secret 2", politologu Ilir Deda ka thënë se teksti nuk është shkruar nga dikush që serbishten e ka gjuhë amtare.
Ai thekson se autori apo autorët e këtij teksti duhet medeomos të zbulohen në këtë aferën e spiunazhit.
Lexoni të plotë postimin e Dedës:
Pikë së pari, ka përzierje të dialektit të ekavicës dhe ijekavicës. Së dyti, përtej gabimeve të shumta gramatikore, ka gabime te rasat, parafjalët, renditja e fjalëve, kohët, etj.
Për shembull "dole na Kosmet", "deca i mladih", "u tuđu zemlju", "deo Kosmeta izgleda će kao Kandahar", "kad se to postiže", "najbogati i najmoćnih šiptari", "na što vidljiva mesta", "sa time" etj etj janë të gjitha gabim. Askush që e ka serbishten gjuhë amtare nuk do ti shkruante dhe të gabonte aq shumë në bazëne gjuhës së vet.
Ky tekst më shumë duket si një përkthim i dobët në serbishte të dobët, sesa tekst i shkruar në serbisht.
Për mua, autori apo autorët e këtij teksti duhet medeomos të zbulohen në këtë aferën e spiunazhit. /Telegrafi/


