Debat i fortë në Uashington për Izraelin - Trump sulmon bashkëpartiakun republikan në Kongresin amerikan
Në Shtetet e Bashkuara është ndezur një debat i ri politik lidhur me ndihmën e huaj dhe politikën e jashtme, ku Donald Trump dhe një kongresist republikan kanë shkëmbyer akuza të forta.
Presidenti amerikan e ka cilësuar Thomas Massien si “kongresist të tmerrshëm”, duke thënë se ai “nuk është as republikan dhe as liberal”, në një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj qëndrimeve të tij politike.
Nga ana tjetër, Massie ka akuzuar grupe të fuqishme lobimi dhe donatorë politikë, përfshirë AIPAC, Koalicionin Republikan Hebraik dhe disa biznesmenë të njohur amerikanë, duke pretenduar se ata kanë financuar shumicën e fushatës së kundërshtarit të tij për shkak të qëndrimeve të tij ndaj politikës së jashtme.
Ai përsëriti qëndrimin se SHBA nuk duhet të japë ndihmë të huaj për vende të tjera, duke përfshirë Egjiptin, Sirinë, Izraelin dhe Ukrainën, duke argumentuar se taksat e qytetarëve amerikanë nuk duhet të shpenzohen jashtë vendit.
Massie kritikoi veçanërisht ndihmën për Izraelin, duke e quajtur marrëdhënien “njëkahëshe” dhe duke thënë se SHBA është tërhequr në konflikte të huaja për shkak të politikave të tij.
Deklaratat e tij kanë ndezur reagime të forta në skenën politike amerikane, në një kohë kur debati për ndihmën e huaj mbetet një nga temat më të ndjeshme në Uashington. /Telegrafi/


