Please enter at least 3 characters.

De Jong shpërthen ndaj gazetarit të njohur spanjoll: Ka thënë shumë gënjeshtra për mua

Mesfushori i Barcelonës, Frenkie De Jong, ka mohuar kategorikisht raportimet për një përçarje me trajnerin Hansi Flick, pas pretendimeve se ai kishte refuzuar të luante në një ndeshje të Ligës së Kampionëve ndaj Atletico Madridit sezonin e kaluar.

Holandezi ka reaguar ashpër ndaj këtyre raportimeve, duke e quajtur të pavërtetë idenë se marrëdhënia e tij me Flickun është e keqe.

“Është thënë se marrëdhënia ime me trajnerin është shumë e keqe, gjë që është krejtësisht e pavërtetë. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me trajnerin. Flas shumë me të. Mund ta pyesni trajnerin për të gjitha këto”, deklaroi De Jong.

Ai mohoi gjithashtu se ka probleme me drejtuesit e Barcelonës, duke theksuar se marrëdhënia e tij me klubin është po ashtu shumë e mirë.

De Jong më pas iu drejtua drejtpërdrejt gazetarit Gerard Romero, duke e akuzuar se ka publikuar edhe më parë informacione të pavërteta për të.

“Gerard Romero e ka thënë edhe këtë dhe dua ta përmend, sepse mendoj se edhe më parë ka thënë shumë gënjeshtra”.

“Por këtë herë nuk do ta lë të kalojë, sepse duhet ta kuptojë se nëse publikon gjëra që nuk janë të vërteta, unë do ta kundërshtoj publikisht”, u shpreh ai.

Në fund, De Jong shpjegoi se reagimi i tij kishte ardhur edhe për të larguar zemërimin dhe për t’u përqendruar te rikuperimi i tij./Telegrafi/