Data4X prezanton në ICK të dhënat më të fundit mbi ekonominë digjitale në Kosovë
Në Innovation Centre Kosovo (ICK) sot u mbajt eventi “Kosovo Digital Economy Overview”, një takim informues dhe analitik i organizuar nga ICK në bashkëpunim me Data4X, ku u prezantuan të dhëna konkrete mbi gjendjen aktuale dhe drejtimin e ekonomisë digjitale në Kosovë.
Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve, komunitetit të teknologjisë, ndërmarrës, përfaqësues të kompanive të ICT-së dhe aktorë të ekosistemit inovativ.
Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e sektorit të ICT-së si një nga shtyllat kyçe të zhvillimit ekonomik të vendit. Ai vuri në dukje rolin që ky sektor ka në nxitjen e inovacionit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e mundësive të reja për ekonominë e Kosovës, duke theksuar se ekosistemi i ndërtuar rreth Innovation Centre Kosovo mbetet një faktor i rëndësishëm në këtë drejtim.
Ndërkaq analiza e fundit e Data4X pasqyroj nivelin e digjitalizimit në sektorin privat, një matje që, sipas përfaqësuesve të kompanisë, realizohet çdo dy vjet për të kuptuar ndryshimet dhe trendet në treg. Sipas të dhënave të prezantuara, mesatarja e digjitalizimit në sektorin privat në Kosovë ndodhet ndërmjet fazës së “definuar” dhe asaj “në zhvillim”, nga një total prej pesë fazash të maturitetit digjital
Në emër të Data4X, Shpend Ahmeti theksoi se sektorët më të digjitalizuar aktualisht janë shërbimet profesionale, financiare dhe të sigurimeve, ndërsa në aspektin e funksioneve të brendshme të kompanive, financa rezulton si funksioni më i avancuar në digjitalizim. Ai vuri në pah potencialin e madh që kompanitë vendore të zhvillimit të softuerit kanë për të ndikuar drejtpërdrejt në transformimin digjital të ndërmarrjeve, qoftë përmes zhvillimit të produkteve të reja, qoftë përmes përshtatjes së platformave ndërkombëtare për nevojat e tregut lokal.
Pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua përdorimit të teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale.
Edhe pse një pjesë e bizneseve deklarojnë se po e zbatojnë AI-në, të dhënat tregojnë se përdorimi praktik në Kosovë është ende kryesisht bazik, më shumë për shkrim, përkthime dhe përgatitje për intervista pune, ndërsa përdorimi në fusha më të avancuara apo analiza e thellë e të dhënave mbetet në nivele të ulëta
Të dhënat ekonomike të paraqitura treguan rritje të dukshme edhe në fushën e pagesave elektronike dhe e-commerce. Sipas analizës së Data4X, vlera totale e pagesave elektronike dhe online në Kosovë ka arritur në rreth 492 milionë euro, me një rritje të ndjeshme krahasuar me vitet e kaluara. Po ashtu, u theksua se përdorimi i kartelave bankare është rritur nga rreth 15 për qind disa vite më parë në rreth 25 për qind sot, çka lidhet drejtpërdrejt edhe me formalizimin e ekonomisë.
Ngjarja u përmbyll me diskutime mes përfaqësuesve të kompanive anëtare të ICK-së, ndërmarrësve dhe akterëve të tjerë të ekosistemit, duke nxjerrë në pah nevojën për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet sektorit privat, institucioneve dhe komunitetit teknologjik, në mënyrë që potenciali i ekonomisë digjitale të Kosovës të shndërrohet në zhvillim të qëndrueshëm dhe vlerë konkrete për ekonominë e vendit.


