Dardan Berisha: Fitova gjithçka, tani do të largohem nga Kosova
Në një intervistë për portalin tonë, Dardani ka treguar për detaje interesante rreth jetës së tij private, si dhe ka zbuluar se do të largohet nga Kosova në fund të këtij edicioni, për të luajtur në Evropë përsëri.
Telegrafi: Si shkoi për ju viti 2014?
Dardani: Ky vit për mua ishte shumë i mirë, pasi që nuk pata ndonjë lëndim. Ne fituam Superkupën, Kupën dhe Superligën e Kosovës, dhe kësisoj besoj se ky ishte një vit mjaft i suksesshëm për mua.
Telegrafi: Sa kohë të është dashur që të ambientohesh në Prishtinë?
Dardani: Në fillim e kam pasur të vështirë për shkak të lëndimit, mirëpo kur e kam kaluar lëndimin gjithçka ka ardhur në normalitet dhe tash po ndihem vërtet shumë mirë.
Telegrafi: Si ndihesh kur e përfaqëson Kosovën në Ligën Ballkanike me Sigal Prishtinën?
Dardani: Ndihem shumë mirë, dihet që duhet edhe Kosova të fillojë ngadalë të krijojë emër në arenën ndërkombëtare, që edhe ata të shohin se ne dimë dhe duam të luajmë basketboll. Besoj se deri tani ka qenë shumë mirë, mirëpo ka ende shumë punë për t’u bërë. Sigurisht se për mua është edhe përgjegjësi, mirëpo mbi të gjitha është një nder i madh që e përfaqësoj Kosovën.
Telegrafi: Sa e ndjen mbështetjen e tifozëve dhe mediave?
Dardani: Natyrisht se e ndjej shumë mbështetjen e tyre, sepse pa ta nuk do të kishte kuptim as që të luaj e as që të angazhohem. Unë besoj se roli i mediave dhe i tifozëve është shumë i madh dhe i rëndësishëm.
Telegrafi: Si përgatitet Dardani për një ndeshje?
Dardani: Besoj se sikur gjithë të tjerët. Kam dëshirë të ushtroj pak në mëngjes në gjuajtje e pastaj në mbrëmje të luaj, mirëpo kujdesem shumë edhe për ushqimin, si dhe për gjumin që e bëj. Një ritual i zakonshëm, që nuk dallon shumë prej ditëve tjera kur nuk kam lojë.
Telegrafi: Ushqimi i preferuar?
Dardani: Unë kam shumë apetit të madh, mirëpo më duhet të jem shumë i kujdesshëm në ushqim. Më së shpeshti ha mish pule me oriz, mirëpo i preferoj edhe peshqit dhe frutat e detit. Natyrisht e dua shumë edhe ushqimin tradicional, mirëpo aty duhet të jem edhe më i kujdesshëm.
Telegrafi: Cili është kundërshtari më i fortë me të cilin je përballur, vendor dhe i huaj?
Dardani: Hmmm, ka shumë lojtarë, sepse të gjithë mundohen të më shkaktojnë sa më shumë probleme, mirëpo nuk do ta veçoja asnjë.
Telegrafi: Cila mendon se është arma jote kryesore?
Dardani: Këtë dua t’ua lë ekspertëve që ta vlerësojnë. Unë mundohem që t’i përmirësoj të gjitha elementet çdo ditë.
Telegrafi: Cili është basketbollisti yt i preferuar dhe skuadra e preferuar?
Dardani: Dikur më kanë pëlqyer Michael Jordan dhe Drazen Petrovic, mirëpo në kohët e sotme nuk ka lojtarë që më bën përshtypje sikur këta dy, sidoqoftë kjo nuk do të thotë se nuk ka lojtarë të mirë, mirëpo unë nuk i përcjelli aq shumë. Prej lojtarëve aktivë, ndoshta më së shumti më pëlqen Kobe Bryant, për atë se çfarë ka bërë këto 15 vitet e fundit. Skuadër të preferuar nuk kam, thjeshtë i dua skuadrat që luajnë basketboll cilësor.
Telegrafi: Cilat janë planet tuaja për vitin 2015?
Dardani: Plani im është që të ushtroj sa më shumë dhe të fitojmë gjithçka pasi që viti 2015 besoj se do të jetë viti im i fundit këtu, sepse mendoj që ka ardhur koha të largohem për të luajtur jashtë vendit. Besoj se për tre vite kam bërë mjaft shumë për basketbollin e Kosovës dhe i kam fituar të gjitha. Tani besoj se ka ardhur koha që t’ia lë vendin dikujt tjetër, dikujt që është më i ri se unë.
Për fund, dua të falënderoj shumë Telegrafin, pasi që më keni përkrahur gjatë tërë kohës dhe ju uroj sukses në punën tuaj. /Telegrafi/


