Please enter at least 3 characters.

Dalin pamjet nga aksioni antidrogë në Elbasan, 30 të arrestuar, sekuestrohen kokainë e armë

Policia e Elbasanit ka bërë publike pamjet nga një aksion i gjerë antidrogë, ku u arrestuan dhjetëra persona dhe u sekuestruan armë, drogë e municione.

Sipas njoftimit zyrtar, strukturat e Hetimit të Krimeve të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas disa muajsh hetime me metoda speciale, finalizuan operacionin policor të koduar “First Day”, që kishte në fokus goditjen e shpërndarjes së drogës në Elbasan, Librazhd, Gramsh, Cërrik, Peqin, Belsh dhe Prrenjas.

Në kuadër të operacionit u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg” 30 persona të dyshuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Gjithashtu, disa të tjerë u arrestuan në flagrancë për vepra të ndryshme penale, mes tyre edhe armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë.

Gjatë kontrolleve policia sekuestroi:

sasi kokaine dhe kanabisi,

armë zjarri pistoletë dhe kallashnikov, armë gjahu, municion luftarak,

peshore elektronike, thika, përforcues grushti,

steka duhani të dyshuara kontrabandë, laptopë, tabletë, DVR, targa automjetesh shqiptare e belge,

shuma të konsiderueshme parash në euro, paund, dollarë, franga zviceriane,

si dhe 24 celularë.

Policia njofton se vijon puna për kapjen e 14 personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e çdo individi tjetër të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.