Comoedia (1927): Intervista ekskluzive e Aleksandër Moisiut, në lidhje me debutimin e tij në Paris
Gazeta parisiene, Comoedia, ka botuar, të dielën e 9 tetorit 1927, në ballinë, intervistën ekskluzive të zhvilluar asokohe me aktorin më të madh gjerman me origjinë shqiptare - siç e quan ajo - Aleksandër Moisiun, të cilën, Aurenc Bebja e sjell për publikun shqiptar nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”. Intervistën me Moisiun, të cilën mund ta lexoni në shqip më poshtë, e ka zhvilluar Pierre Lagarde.
Pierre Lagarde: Është herë e parë që do të luani në Paris?Aleksandër Moisiu: Po. E megjithatë, kam dhënë shfaqje, në vitin 1913, në Vaudeville, në një pantomimë të “Një mijë e një netë – Mille et une Nuits” që solli Max Reinhardt : “Sumurun”. Por kujtimet kanë vdekur, ashtu siç ka vdekur ky teatër…Të hënën në mbrëmje do të jetë dita e debutimit tim këtu. Do të luaj rolin “E kufomës së gjallë – Le Cadavre vivant” në gjermanisht dhe, në frëngjisht, një pjesë tjetër të Tolstoit. “E gjithë e mira vjen nga ajo – Tout le bon vient d’elle”, në të cilën mbesa e Tolstoit do të luajë një rol të vogël e të heshtur. Kjo është hera e parë që do të luaj në frëngjisht...
Pierre Lagarde: Çfarë mendoni për teatrin tonë bashkëkohor?Z. Aleksandër Moisi çohet. Shikimi i tij bëhet më i ndritshëm.Aleksandër Moisiu: Teatri juaj aktual ? Është shumë më cilësor se ai para lufte. Paul Raynal është po aq i madh sa dhe poetik. Më pëlqen Lenormand, Natanson, Jules Romains. Kur të kthehem nga Amerika, do të luaj në Vjenë “Varri në Harkun e Triumfit dhe Frikacaku – Le Tombeau sous l'Arc de Triomphe et Le Lâche”.
Pierre Lagarde: Çfarë roli preferoni nga të gjithë ato që keni luajtur?Aleksandër Moisiu: Varet. Ne nuk jemi çdo ditë i njëjti njeri. Jeta për ne lind çdo mëngjes. Por kam luajtur më shumë se 1.200 herë “Hamletin”, dhe më shumë se 1.000 herë “Kufomën e gjallë”.
Z. Moisi u ul përsëri… Duket i shqetësuar:Aleksandër Moisiu: Mbi të gjitha, mos më bëni të them asgjë të pakëndshme. E dua Francën marrëzisht. Kanë thënë për mua shumë gjëra të çuditshme. A nuk kanë pretenduar, se gjatë luftës, kam fluturuar mbi Paris me një Fokker? Çfarë absurditeti!
Aktori i madh u ngrit përsëri, i indinjuar. Ai ecën në dhomë, ndalet dhe më vështon drejt në sy:Aleksandër Moisiu: Nëse nuk do ta doja Francë siç e dua, me mendjen dhe zemrën time, a do të isha sot në Paris?
Zilja e telefonit shkurton bisedën tonë. Z. Moisi duhet të përsërisë pas një çerek ore në Teatrin e Arteve. Duhet të na lë. Duke më shtrënguar dorën, ai shtoi:Aleksandër Moisiu: Ju jeni francezi i parë sot që u interesuat për mua... Faleminderit...


