Please enter at least 3 characters.

Çmime të larta të frutave në tregje, qershitë arrijnë deri në 400 denarë

2017/04/fruta.jpg

Tregjet janë të mbushura me fruta-perime, por qytetarët thonë se po përballen me çmime tejet të larta. Çmimi i qershive këtë vit lëviz nga 200 deri në 400 denarë për kilogram, ndërsa çmimi i dredhëzave nga 100 deri në 150 denarë për kilogramë.

-“Po shtrenjtë janë , rrogat janë të dobëta pak. Gjithmonë ka ndërrime , brenda kohës kështu është”, tha një qytetar.

“Nga viti i kaluar çmimet janë më të larta rreth 30% dhe tani njerëzit nuk kanë para, ky është inflacioni. Benzina është rritur, nafta është rritur, dhe normalisht edhe çmimet janë të larta”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Gjithçka është shtrenjtë. Bujqit nuk kanë aspak kushte, plehrat janë të shtrenjta, të gjitha produktet bujqësore janë të shtrenjta. Edhe ne jemi nga fshati, por aspak nuk jemi të kënaqur me kushtet”, thotë qytetari.

Nga ana tjetër shitësit arsyetohen me faktin se në treg aktualisht dominojnë produktet e importuara, gjë që ka ndikuar në rritjen e çmimeve.

“Këtë sezon frutat janë pak më të shtrenjta, sepse ende nuk ka arritur prodhimi vendor; gjithçka është e importuar. Ka pasur rritje të çmimeve, por për një kohë të shkurtër ato do të bien, sapo të dalin në treg produktet tona vendore. Shitjet vazhdojnë, klientët sillen vërdallë; disa ditë janë më të dobëta, disa më të mira, por në përgjithësi nuk është keq”, deklaroi shitësi.

“Ankohen , me të vërtetë është shtrenjtë pak. Çështjet e domosdoshme janë më shtrenjtë . Shtrenjtë apo lirë duhet të hamë. Kjo nuk është e domosdoshme është luks”, thotë një shitës tjetër.

Megjithëse qytetarët ankohen për çmimet e larta, tregjet çdo ditë janë përplot blerës./Alsat.mk.