Ciro Immobile pensionohet nga futbolli pas një karriere të jashtëzakonshme
Sulmuesi italian Ciro Immobile ka njoftuar tërheqjen nga futbolli profesionist në moshën 36-vjeçare, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme, veçanërisht në Serie A.
Immobile, i cili ishte pjesë e Paris FC, kishte kontratë me klubin francez deri në qershor të vitit 2027, por problemet e vazhdueshme me lëndimet e kanë shtyrë të marrë vendimin për t'i dhënë fund karrierës.
Sulmuesi italian iu bashkua Paris FC në janar, pas një periudhe të shkurtër te Bologna. Në vetëm 12 paraqitje për klubin francez sezonin e kaluar, ai realizoi dy gola dhe regjistroi dy asistime.
Vendimin për pensionim Immobile ua komunikoi sot bashkëlojtarëve të tij te Paris FC, duke mos i fshehur emocionet dhe lotët.
Në një karrierë prej 656 ndeshjesh, Immobile realizoi plot 350 gola, duke lënë pas një nga bilancet më mbresëlënëse të futbollit italian.
Me fanellën e Italisë, ai shënoi 17 gola në 57 paraqitje, ndërsa ishte pjesë e skuadrës që fitoi Euro 2020 në vitin 2021. Ai gjithashtu e fitoi katër herë çmimin Capocannoniere si golashënuesi më i mirë i Serie A.
Pjesën më të rëndësishme të karrierës e kaloi te Lazio, ku luajti nga viti 2016 deri në 2024 dhe u shndërrua në një prej golashënuesve më të mëdhenj në historinë e klubit.
Gjatë karrierës së tij, Immobile veshi fanellat e Salernitanës, Juventusit, Sienës, Grossetos, Pescaras, Genoas, Torinos, Borussia Dortmundit, Sevillas, Lazios, Besiktasit, Bolognës dhe Paris FC./Telegrafi/


