Cilit rus i frikësohet më së shumti Putini?
Pasardhës i mundshëm i Putinit quhet Alexei Navalny.
“Ai është drita në fund të tunelit”, thotë Stanislav Belkovski, një nga politologët më të njohur rusë dhe autor i një prej librave për Putinin.
Navalny është një person karizmatik dhe i fuqishëm, që i përshtatet në përgjithësi shoqërisë ruse.
I ka 39 vite, është “biond dhe me dukje ariane”, që nënkupton se është rus dhe i “gjakut të pastër”. Është avokat me profesion, i shkolluar në Yale dhe vjen prej një familje të mirë. Baba i tij, Anatoly, ka qenë oficer në Ushtrinë ruse gjë që e bën edhe më të pranueshëm nga pjesa patriotike rusomadhe.
Është ambicioz dhe simpatik, por mjaftueshëm cinik për t’ju përshtatur votuesve rusë; ka dëshirë të pi, të mallkojë dhe të zihet, transmeton Indeksonline.
Sa i përket qëndrimeve politike, është i orientuar nga Perëndimi, ndonëse nuk e meriton epitetin “shërbyes i Perëndimit”. P.sh. ai hapur thotë se Krimeja, gadishulli ukrainas i aneksuar nga pushteti i Putinit, është ruse, ndërsa hapur i bën thirrje Shtëpisë së Bardhë që të forcojë sanksionet kundër zyrtarëve të Kremlinit që janë të afërt me presidentin aktual rus.
Navalny momentalisht është në arrest shtëpiak, me radar të lidhur për këmbe. Në kushte të tilla ai mundohet ta luftojë gjykatat e Putinit që e sulmojnë rregullisht.
Ai akuzohet për manipulime dhe vjedhje në industrinë e drurit, “Kirovles”, ku ka punuar si avokat, ndonëse ishte liruar pak para zgjedhjeve për kryetar të Moskës, pozitë për të cilën kishte garuar. Vendimi për lirimin e tij Putin e kishte marrë për shkak se e kishte pranuar kërkesën e kandidatit të tij të preferuar për kryetar të Moskës, Sergej Sobjanin, i cili ka dëshiruar që të fitojë pa e pasur kundërkandidatin në burg
Navalny kishte dalë i dyti duke fituar 27 për qind të votave, shumë më shumë se kandidatët e rregullt opozitarë në Rusi.
Tani, ai dhe vëllai i tij Oleg, përballen me proces gjyqësor disavjeçar me akuzën se kanë manipuluar punësimet në degën moskovite të kompanisë së njohur franceze të kozmetikës, “Yves Rocher”. Këtu tani varet në tërësi edhe e ardhmja politike e Navalnyt, se a do të arrijë ta sfidojë Kremlinin seriozisht apo do shkatërrohet si Mikhail Khordovkovski, dikur kundërshtar serioz i Putinit. /indeksonline/


