Please enter at least 3 characters.

Çfarë realisht arriti Trumpi këtë vit?

Donald Trump (22 dhjetor 2025)
(Foto: Tasos Katopodis/Getty Images)

Nga: Matt Robison / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Për rivalët, tallja e presidentit Donald Trump është bërë thuajse refleks automatik, aq bajat saqë mezi shkakton interesim edhe kur është plotësisht e merituar. Por, ajo që po bëhet interesante në fund të vitit është se sa shumë po përhapet ky sentiment: duket se shumë prej mbështetësve të Trumpit po e kuptojnë se gjithçka që kanë marrë gjatë vitit 2025 ka qenë vetëm zhurmë.

Viti i Trumpit, me fjalët e Makbethit, “nuk është veç se prrallë, prej budallaj, plot buj’ e plot tërbim” [sipas përkthimit të Nolit - shën. i Telegrafit]. Në një çështje pas asaj tjetrës kryesore nga fushata e vitit 2024, presidenti ka ofruar shumë gjeste teatrale me zë të lartë. Por, bilanci i tij real për ato që premtoi shkon nga zeroja absolute deri te dështimi befasues.

Keni dyshime? Le ta shqyrtojmë, sepse është një gjë që është e lehtë, meqë prioritetet e Trumpit nuk ishin ndonjë mister (programi i Partisë Republikane për vitin 2024 thoshte me germa të mëdha, si i dehuri i fundit në fund të natës: “NDALO INFLACIONIN DHE BËJE AMERIKËN SËRISH TË PËRBALLUESHME ... OPERACIONI MË I MADH I DEPORTIMIT NË HISTORINË AMERIKANE ... NDALO ARMATIMIN E QEVERISË”)

Sa i përket ekonomisë, pavarësisht fjalimit të zjarrtë të Trumpit në orar kryesor televiziv javën e kaluar - përmbledhja e të cilit dukej të ishte “Do të vazhdoj t’ju bërtas derisa të përmirësohet morali” - Amerika po e përmbyll vitin 2025 me papunësinë më të lartë në katër vjetët e fundit dhe me çmime rreth tre përqind më të larta. Shumica e kësaj rritjeje vjen për shkak të politikave të Trumpit. Trumpi mendon se përballimi i jetës është mashtrim. Votuesit nuk mendojnë kështu: për ta është gjëja më e rëndësishme dhe ata fajësojnë në masë të madhe presidentin për problemet e tyre ekonomike.

Sa për synimin e tij për të “ndalur zhvendosjen e prodhimit jashtë vendit dhe për ta kthyer ShBA-në në superfuqi prodhimi” (le ta kursejmë veten nga germat e mëdha) - që thuhej se ishte arsyeja për bombardimin e ekonomisë me tarifa - vendet e punës në prodhim kanë rënë, zhvendosja jashtë vendit është rritur dhe deficiti ynë tregtar është 112 miliardë dollarë më i lartë.

Po programi i deportimeve i Trumpit? Me siguri të gjitha ato operacione të ICE-së [Shërbimi i Doganave dhe Emigracionit - shën. i Telegrafit] të projektuara posaçërisht për rrjete sociale, ato zbarkime të Gardës Kombëtare në pika të nxehta dhe shfaqja për kamerat e sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, në një burg famëkeq në Salvador, janë shenja se gjërat po funksionojnë?

Pritni pak, sepse Trumpi është në rrugën për të realizuar më pak deportime në vitin 2025 sesa bëri Joe Biden më 2024 - dhe shumë më pak se Barack Obama në kulmin e tij. Mendoni për këtë ... sepse zyrtarët e Trumpit padyshim që po mendojnë: ata vazhdojnë të pushojnë zyrtarë të lartë dhe të mbledhin "seanca vetëkritike" ku këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Stephen Miller, bërtet në panik. Fakti që kryeredaktorja e CBS-it, Bari Weiss, u përpoq të mbulonte programin 60 Minutes për deportimet në gulagët e huaj, tregon se sa e frikësuar është bërë Shtëpia e Bardhë teksa votuesit po lodhen nga spektakli mizor i imigracionit.

Paqja dhe siguria? Pretendimet e Trumpit për përfundimin e shtatë luftërave janë fantazi (CBS News i hodhi poshtë këto budallallëqe që në shtator, por mos i tregoni Bari Weissit). Të jemi të drejtë, edhe pse ende vazhdon lufta në Ukrainë - të cilën Trumpi premtoi ta përfundonte për 24 orë - ai duhet të marrë merita për armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit. Por, duke qenë të drejtë, le të fokusohemi edhe në vlerësimin e besueshëm se shkatërrimi i USAID-it, nga ana e tij, do të shkaktojë vdekjen e 330 mijë njerëzve këtë vit - 230 mijë prej tyre fëmijë. Është e sëmurë ideja e tij se do të marrë Çmimin Nobel për Paqen pasi ka shkaktuar kaq shumë dhimbje për më të mjerët e botës dhe për ata që festojnë lindjen e Jezusit dhe po reflektojnë mbi Mateun 25:40 [Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua - shën. i Telegrafit] fati i më të vegjëlve prej vëllezërve e motrave tona duhet të jetë burim i thellë hidhërimi.

Përfundimi i “armatimit të qeverisë”? Reuters dokumentoi të paktën 470 persona, organizata dhe institucione të cilat Trumpi i ka në cak për hakmarrje. Lufta kundër “kontrollit qeveritar” [deep state - shën. i Telegrafit] dhe “tharjes së kënetës”? Trumpi pushoi shumë njerëz, por kryesisht ata që ishin të aftë, dhe Departamenti i Drejtësisë nuk uli aspak shpenzimet. Lufta kundër zgjimit [woke - shën. i Telegrafit] në shkolla? Harvardi e riemëroi qendrën e tij për DEI [Diversitet, Barazi dhe Përfshirje - shën. i Telegrafit] dhe bashkoi disa faqe që merreshin me racën dhe gjininë. E merituat, liberalë.

Për krimin, të paktën mund të thuhet që Trumpi nuk i ka prishur trendët kombëtarë të rënies së shpejtë të niveleve të krimit që nisën nën Bidenin - dhe, në disa raste madje janë përshpejtuar këtë vit. Nga ana tjetër, faljet e Trumpit dhe ndjekjet penale me motive hakmarrëse kanë krijuar një sistem drejtësie me dy nivele: një për Trumpin dhe miqtë e tij, dhe një tjetër për të gjithë të tjerët. Vështirë të besohet se kjo ishte në listën e dëshirave të votuesve të MAGA-s [Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore - shën. i Telegrafit].

Trumpi duket se jeton sipas tekstit të këngës Razzle Dazzle nga mjuzikli Çikago që këshillon mashtruesit t’ia japin turmës “hokus-pokusin” dhe “kur të jesh në telashe, vallëzo”. Por, ajo gjithashtu pyet në aspektin retorik: “Po nëse të gjitha shpresat të janë ndryshkur ... po nëse, në fakt, je thjesht i neveritshëm”?

Po, vërtet? Këtë vit, “mashtrimi” i Trumpit u konsumua, sepse nuk kishte asgjë poshtë sipërfaqes. Ka një arsye pse 14 përqind e votuesve të Trumpit tashmë pendohen për votën e tyre. Me republikanët në Kongres që po rrëzohen në kaos përsëri dhe me presidentin pa asnjë plan për të bashkëpunuar për ndonjë gjë konstruktive në vitin 2026, pyetja e vetme tani është: sa do të zgjasë derisa edhe të tjerët t’i hapin sytë? /Telegrafi/