Please enter at least 3 characters.

Çfarë duhet të jenë prioritetet e Liverpoolit dhe Arne Slot pas një sezoni zhgënjyes?

Fakti që Liverpooli e siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve 2026/27 vetëm në javën e fundit të Ligës Premier flet shumë për sa i dobët ishte sezoni 2025/26 për “Reds”.

Si kampionë në fuqi të Anglisë dhe pas një titulli dominant në 2024/25 (me 10 pikë më shumë se Arsenali), pritjet ishin krejt tjera – por nga gushti deri në maj, shumë gjëra thjesht nuk funksionuan.

Shifrat alarmante: Shumë humbje, më pak gola, më shumë gola të pësuar

Liverpooli e mbylli kampionatin me 12 humbje në ligë, një nga bilancet më të dobëta mes skuadrave të Top 7.

Edhe më shqetësuese është se në të gjitha garat regjistroi 19 humbje, statistika që e vendos sezonin pranë disa prej edicioneve më problematike në historinë moderne të klubit.

Po ashtu, ekipi shënoi 23 gola më pak se një sezon më parë, pësoi 12 gola më shumë dhe grumbulloi 24 pikë më pak – një rënie e qartë në të dy fazat e lojës: sulm dhe mbrojtje.

Në këtë kontekst, edhe pozita e Arne Slotit ka hyrë në debat, ndonëse kualifikimi në Ligën e Kampionëve e ka shmangur (të paktën për momentin) një vendim drastik.

Standings provided by Sofascore


Rasti Isak dhe problemet “më të thella”

Një tjetër pikë zhgënjimi ishte forma dhe gjendja fizike e Alexander Isak, i cili erdhi me bujë, por u lëndua gjatë një pjese të madhe të sezonit dhe edhe kur ishte i gatshëm, nuk arriti të ishte sulmuesi dominues që njihej nga koha te Newcastle.

Shpresa është se rikthimi i disa lojtarëve si Hugo Ekitike, Conor Bradley dhe Giovanni Leoni mund të ndihmojë, por përshtypja është se problemet nuk lidhen vetëm me mungesa – por me strukturën dhe balancën e ekipit.

Prioriteti kryesor, zëvendësimi i Mohamed Salah

Tema më e madhe e verës pritet të jetë epoka pas Mohamed Salah. Konflikti i raportuar mes tij dhe Slotit gjatë sezonit – përfshirë momentin kur Salah la të kuptohej se trajneri e kishte “hedhur nën autobus” – dhe skena e ftohtë e fundit në “Anfield” kanë ngritur shumë pikëpyetje.

Nëse Liverpooli do ta rindërtojë repartin ofensiv, gjetja e pasuesit të Salahut duhet të jetë prioritet numër 1.

Janë përmendur emra si Yan Diomande, Bradley Barcola dhe Anthony Gordon, por edhe nëse vjen një zëvendësues i madh, pritet të mos e ketë ndikimin e menjëhershëm që kishte Salah – diçka që tifozët duhet ta kuptojnë.

Mbrojtja dhe dilema Van Dijk: Partner i ri apo vendim i vështirë?

Një tjetër pikë kritike është mbrojtja, ku po rritet debati nëse Liverpooli duhet të kërkojë një partner të ri për Virgil van Dijk, apo madje të marrë vendime të mëdha për të ardhmen e kapitenit.

Në disa statistika, Van Dijk nuk duket keq: ai kishte përqindje më të lartë të suksesit në ndërhyrje (59.09% nga 52.63%) dhe një numër të madh pastrimesh (275, krahasuar me 190 sezonin e kaluar).

Por rënia e leximit të lojës (28 nga 56) dhe më pak topa të fituar (41 nga 54) ngrenë dyshime për humbjen e ritmit dhe për problemet pozicionale, sidomos kur Liverpooli mbetet i ekspozuar në tranzicion.


Koha është armik: Kampionati Botërori prish ritmin e verës

Me Botërorin që nis brenda pak javësh dhe që mbyllet pothuajse mbi prag të përgatitjeve për sezonin 2026/27, vendimmarrja këtë verë bëhet edhe më e ndjeshme. Nëse Liverpooli gabon në drejtim, në transferime ose në strukturimin e projektit rreth Slotit, rrezikon të hyjë sërish në një sezon të rëndë dhe pa stabilitet.

Liverpooli nuk është ekip i dobët dhe Slot nuk mund të ketë rënë “nga hero në zero” brenda një viti – por sezoni 2025/26 ishte dukshëm nën standard.


Tani klubi duhet të vendosë shpejt: a e mbështet Slotin me një rindërtim të plotë, apo nis një cikël të ri, sepse koha këtë verë nuk fal. /Telegrafi/