Please enter at least 3 characters.

Brightoni merr tri pikë me një paraqitje dominuese ndaj Chelseat

Brightoni regjistroi një fitore të merituar 3-0 ndaj Chelseat në kuadër të javës së 34-të në Ligën Premier, duke treguar superioritet gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes.

Takimi nisi me ritëm të lartë dhe vendasit kaluan shumë shpejt në avantazh. Që në minutën e tretë, pas një aksioni të rrezikshëm dhe një pritjeje të shkëlqyer nga portieri Robert Sanchez ndaj goditjes me kokë të Kaoru Mitoma, topi u rikthye në zonë ku Ferdi Kadioglu reagoi më shpejt se të gjithë dhe e dërgoi në rrjetë për rezultatin 1-0.

Brighton vazhdoi të ishte më kërkues në sulm, duke krijuar disa raste të mira, ndërsa Chelsea hasi vështirësi për të ndërtuar aksione të rrezikshme.

Në minutën e 15-të, Sanchez shpëtoi sërish londinezët me një pritje spektakolare ndaj një goditjeje me kokë nga Jan Paul Van Hecke.

Brighton vazhdoi dominimin dhe në minutën e 56-të dyfishoi epërsinë. Jack Hinshelwood realizoi një gol të bukur nga distanca, duke e dërguar topin në këndin e majtë të portës për 2-0.

Chelsea tentoi të reagojë, por pa sukses konkret, ndërsa Brighton mbeti i rrezikshëm në kundërsulme.

Në minutën e 62-të, Kaoru Mitoma humbi një mundësi të artë për të thelluar rezultatin, duke goditur jashtë portës nga një pozicion i favorshëm.

Deri në fund, Brightoni ia doli të shënojë edhe një herë tjetër përmes Danny Welbeck për rezultatin përfundimtar 3-0 dhe mori tre pikë të rëndësishme në garën për pozicionet evropiane, ndërsa Chelsea vazhdon të ketë luhatje në formë në këtë fazë të sezonit./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore