Bora për herë të parë në gjysmëfinale, eliminon Prishtinën
Klubi i basketbollit, Bora për herë të parë është kualifikuar në gjysmëfinale të “Play-off”-it në ProCredit Superligë.
Bora dominoi edhe në ndeshjen e dytë çerekfinale, duke e mposhtur bindshëm Sigal Prishtinën me rezultat 60:101, pas një pjese të parë ku krijoi epërsi të madhe pasi fitoi çerekun e parë me rezultat 23:13 dhe të dytin 28:10.
Edhe në pjesën e dytë loja foli për Borën, e cila ruajti ritmin dhe kontrollin total, duke fituar dy çerekët e fundit 24:19 dhe 26:18 për të vulosur fitoren e thellë 101:60.
Skuadra e Borës e nisi takimin me ritëm të lartë dhe efikasitet në sulm, duke ndërtuar epërsi që në minutat e para dhe duke mos e vënë në diskutim fitoren në asnjë moment.
Me këtë paraqitje bindëse, Bora siguron kualifikimin në gjysmëfinale, ku do të përballet me Bashkimin në një duel që pritet të jetë shumë më i fortë dhe konkurrues.
Arbër Sinani ishte më i mirë te Sigal Prishtina me 17 pikë, ndërsa te Bora më i dalluari ishte Jordan Dingle me 24 pikë. /Telegrafi/


