Bllokohet përkohësisht qarkullimi në një segment të rrugës “Llapi” në Obiliq për shkak të punimeve infrastrukturore
Komuna e Obiliqit njofton qytetarët dhe pjesëmarrësit në komunikacion se më 4 korrik 2026, nga ora 08:00 deri në 17:00, do të ketë ndryshim të përkohshëm të trafikut dhe bllokim të qarkullimit në një segment të rrugës “Llapi” në Obiliq.
Sipas njoftimit zyrtar, masa është pjesë e projektit për mirëmbajtjen dhe sanimin e infrastrukturës rrugore urbane, ndërsa bllokimi i përkohshëm i qarkullimit bëhet për shkak të realizimit të punimeve inxhinierike, përfshirë shtrirjen e gypave të kogjenerimit.
Gjatë periudhës së punimeve, trafiku do të devijohet përmes rrugëve alternative dhe unazave të qytetit, përkatësisht nëpër rrugën “Mbretëresha Teutë” dhe degëzimet lidhëse, të cilat do të shërbejnë si itinerare zëvendësuese për qarkullim.
Komuna e Obiliqit u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të kenë mirëkuptim për këto punime, të qarkullojnë me shpejtësi të reduktuar, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë sinjalistikën e përkohshme rrugore të vendosur në terren. /Telegrafi/


