Blerta Zhegu, vokali brilant i skenave botërore
Nga Adina në "L'elisir d'amore", tek roli protagonist në operën "Carmina Burana'', gama e interpretimeve të suksesshme të sopranos së muzikës klasike, e cila ka qarë, ka qeshur dhe është drithëruar emocionalisht bashkë me publikun artdashës.
Çdo rikthim në skenën shqiptare vjen si një çlirim i shpirtit, ndaj ndjesia që mbetet pas çdo performance në skenat tona, është kujtimi më i bukur që e shoqëron në interpretimet e tjera të sajat kudo nëpër Evropë. Por, Franca është kryeqyteti i kulturës, aty ku Blerta Zhegu është shpërngulur për të jetuar vite më parë. Dyert nëpër të cilat ka trokitur deri në formimin e një emri artistik krah artistëve virtuozë të muzikës klasike kanë qenë të shumta, e kjo nuk e zmbrapsi në misionin e saj për të forcuar pozitat e një sopranoje të re dhe me perspektivë. Blerta Zhegu flet për eksperiencat profesionale të momentit dhe jo vetëm ...
Pas këtyre eksperiencave në skenën e Universitetit të Arteve, ju realizuat koncertin tuaj recital "Plaisir d'amour". Ç'mund të na thoni për këtë eksperiencë? Ishte një projekt, i cili u realizua me ndihmën e Ambasadës dhe Aleancës Franceze. Mori emrin "Plaisir d'amour"ose "Kënaqësi dashurie", pikërisht për tematikën që përshkonte të gjithë koncertin dhe njëkohësisht prej njërës nga meloditë më të njohura franceze me të njëjtin emër që unë interpretova atë mbrëmje. Vendosa që t'i prezantoja publikut një repertor më intim, duke përmbledhur një tufë me meloditë më të dashura franceze të Debussy, Hahn, Faure, Satie etj„. Megjithëse thuajse i panjohur në vendin tonë, ky repertor sharmant për soprano dhe piano u mirëprit me shumë ngrohtësi nga artdashësit.
Vijmë tek kapitulli i jetës suaj në Francë. Na e përshkruaj pak rrugëtimin për të mbërritur deri tek skenat prestigjioze të tempullit të artit evropian... Gjatë një udhëtimi në Francë u pranova tek atelieja prestigjioze Centre National d'Artistes Lyriques për sezonin 2013-2014 dhe për këtë arsye më pas vendosa të transferohesha në këtë vend. Gjatë këtij viti, përveç njohurive dhe përvojave të ndryshme që ky stazh më ofroi, pata mundësinë të interpretoja në Operën e Marsejës, Operën Grand të Avignon-it dhe Domaine D'O në Montpellier, si dhe të njihesha me shumë personalitete të botës operistike, të cilët ftoheshin rregullisht nga kjo strukturë për të na dëgjuar.
Në skenë keni qarë, keni qeshur, jeni dashuruar...Ndjenja këto që projektohen tek gjithsecili prej nesh në jetën e përditshme. Cili nga rolet e tua mendon se ka qenë personazhi që të ka identifikuar më së shumti dhe pse? Dua të veçoj personazhin e Valerias nga "Il canto dell'amore trionfante" pasi është një personazh që e imagjinova dhe interpretova pa u bazuar mbi modele paraardhëse. Duke punuar mbi këtë vepër u josha çdo ditë e më shumë nga kjo heroinë moderne dhe romantike për emotivitetin dhe ndjeshmërinë që e karakte-rizonin dhe që përbënin njëkohësisht forcën dhe brishtësinë e saj. Mendoj që shumë femra që janë në luftë të përditshme midis ndjenjës dhe arsyes, midis bindjeve personale dhe atyre që shoqëria i imponon, midis vendimeve familjare e profesionale do ta gjenin veten tek ajo. Megjithatë personazhi ku gjej më shumë vetveten është ai i Thereses në operën e F. Poulenc "Les mamelles de Tiresias" për anti-konformizmin dhe feminizmin që e karakterizon.
A ke pasiguri dhe cilat janë ato? Pasiguritë janë të shumta dhe shpesh mundohem t'i harroj për të mos lejuar të më dekurajojnë. Një artist që është në hapat e para të karrierës i bën vetes pyetje të shumta dhe ndjehet shpesh i dekurajuar kur jo gjithçka shkon siç e kishte parashikuar. Por, nga ana tjetër jam e lumtur që profesioni im më vë çdo ditë përballë vetvetes, duke më detyruar që të përballem me realitetin, e më kujton çdo herë të shijoj momentin që po jetoj.
Ndërkohë ju keni shumë miqësi me të bijën, lnvën. Si ka lindur miqësia mes jush? Pata fatin që Inva u ftua nga Centre National d'Artistes Lyriques për të dëgjuar artistët e rinj. Me dashamirësinë dhe thjeshtësinë që e karakterizon, më dha mundësinë ta ndiqja në të gjitha shfaqjet ku ajo interpretoi, si dhe shkëmbeu me mua përvojën e saj duke më dhënë shumë këshilla të çmueshme. Prej kohësh Inva Mula ka qenë për mua një model dhe një simbol i artistes së vërtetë, e aftë të magjepsë çdo herë publikun me zërin dhe personalitetin e saj artistik dhe sot mund të them që jam po aq admirative ndaj anës njerëzore të saj.
Keni miqësi me artistë të tjerë virtuoz shqiptar që operojnë në skenat botërore? Përveç Inva Mulës kam pasur kënaqësinë të njihem kohët e fundit me artistët shqiptare më në zë nëpër botë si: Ermonela Jaho, Josif Gjipali, Gëzim Myshketa, Enkeleida Shkoza, Genc Tukiçi, etj., dhe kam mundur të ndaj çdo herë me ta problematikat apo eksperiencat e mia që ata i kanë përjetuar pak a shumë njësoj vite më parë. Biseda me ta ka qenë çdo herë shumë inkurajuese.


