BKT Kosova dhe G7 bashkojnë forcat për fuqizimin e grave ndërmarrëse
BKT Kosova, në bashkëpunim me Dhomën Ekonomike të Grave të Kosovës (G7), organizoi një tryezë të rrumbullakët me temën “Fuqizimi i ndërmarrësisë së grave përmes rrjetëzimit profesional dhe mbështetjes ligjore dhe financiare”, duke vendosur në qendër rolin kyç të grave në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në një kohë kur gratë vazhdojnë të përballen me barriera strukturore në tregun e punës, statistikat tregojnë se në Kosovë vetëm rreth 20% e grave marrin pjesë në fuqinë punëtore, një nga nivelet më të ulëta në Evropë dhe globalisht, duke reflektuar një potencial të madh të pashfrytëzuar ekonomik. Studime ndërkombëtare theksojnë se mbyllja e hendekut gjinor në punësim dhe ndërmarrësi mund të rrisë Prodhimin e Brendshëm Bruto global deri në 20%, duke dëshmuar qartë ndikimin e drejtpërdrejtë të fuqizimit të grave në rritjen ekonomike. *(World Bank, World Economic Forum)
Në fokus të këtij aktiviteti ishte roli i BKT Kosovës në fuqizimin ekonomik të grave përmes zgjidhjeve konkrete financiare dhe mbështetjes së vazhdueshme. Znj. Jehona Oruqi, Zv. Drejtuese e Grupit për Menaxhimin e Kredive në BKT Kosova, prezantoi skemat e financimit për NVM dhe gratë ndërmarrëse, duke theksuar përkushtimin e Bankës për të ofruar produkte që adresojnë nevojat specifike të këtij segmenti.
Ky aktivitet mblodhi përfaqësues të rëndësishëm institucionalë dhe të sektorit financiar, duke përfshirë znj. Afërdita Saraçini Kelmendi, Presidente e G7, znj. Mimoza Kusari-Lila, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Jehona Oruqi, Zëvendës Drejtuese e Grupit për Menaxhimin e Kredive në Bankën Kombëtare Tregtare, z. Artan Mehmeti, Kryesues i Sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (KKEI), si dhe përfaqësues nga institucionet financiare dhe publike. Gjithashtu, pjesë e diskutimit ishin znj. Yllka Emini, Këshilltare Tatimore në Divizionin për Shërbim të Tatimpaguesve në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe znj. Lendita Kastrati, Drejtoreshë e G7. Në aktivitet morën pjesë edhe rreth 50 gra ndërmarrëse nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Tryeza u hap nga znj. Aferdita Saraçini Kelmendi, Presidente e G7, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për avancimin e rolit të grave në ekonomi. Më pas, znj. Lendita Kastrati, Drejtoreshë Ekzekutive e G7, prezantoi të arriturat kryesore të organizatës dhe ndikimin e saj në mbështetjen e grave ndërmarrëse në Kosovë.
Përmes iniciativave të tilla dhe bashkëpunimeve strategjike, BKT Kosovavazhdon të dëshmojë përkushtimin e saj për fuqizimin e grave, duke i parë ato si një shtyllë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror të vendit.


