Bislim Zyrapi luftoi në Bosnje kundër forcave të komanduara nga Mladiq: Ai ishte vërtet monstruoz
Ushtaraku shqiptar, Bislim Zyrapi, që ishte pjesë e forcave ushtarake boshnjake në luftën e Bosnjës dhe Hercegovinë në vitet ‘90 ka luftuar kundër forcave serbe të komanduara nga Ratko Mladiq, i cili vdiq sot më moshën 84 vjeçare, derisa po vazhdonte vuajtjen e dënimit me burgim të përjetshëm për gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë.
Zyrapi (më vonë shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së) rrëfeu për KosovaPress detaje nga frontet e luftës në Bosnjë. Thotë se Mladiq ishte vërtet monstruoz.
“Vlerësimi im është se ai është një njeri që është me të vërtetë monstruoz, një njeri i cili aspak nuk i përket një eprori të përgatitur, të edukuar apo të shkolluar. Se një njeri i shkolluar e i edukuar nuk mund të hyjë në luftë me civilët ose të shfrytëzojë civilët apo t'i vrasë ata apo të bëjë masakra, sikurse që ka bërë në Srebrenicë. Ka pasur edhe shumë vende të tjera që kanë qenë në pjesën e Bosnjës së Mesme, në pjesën e Bosnjës Perëndimore, Bosnjës Lindore... Të gjitha këto vende ky i ka kryer, ushtria e tij me urdhrin e tij se ky u printe atyre. Se ky është ai që ka dhënë urdhrin edhe ka dhënë atë urdhëresën për ato veprime. Domethënë, ky është ai përgjegjësi. Ndoshta s'ka marrë vetë drejtpërdrejt thikën në Srebrenicë apo gjetiu, i ka parë popullatat, i ka parë njerëzit që janë dorëzuar. Ky ka mundur të marrë masat adekuate. Kjo mos me arritur te masakra”, tha Zyrapi.
Derisa tregon se ishte i pranishëm në luftë që nga fillimi e deri në fund, Zyrapi thotë se kanë pasur luftime të forta me njësitet e Ratko Mlladiqit, por që asnjëherë nuk janë parë ballë për ballë .
“Sa i përket këtu njohjes personale apo drejtpërdrejt, apo me e pa, fare. Sa i përket gjatë kohës së luftës, në Bosnjë unë kam qenë në luftën e Bosnjës drejtpërdrejt, që prej '92-shit deri në '95-tën. Aty kam qenë në pozita të ndryshme, kam udhëhequr brigadat e divizionit të komandës, sidomos në Bosnjën e Mesme. Më pas kemi pasur me njësitë e tyre, domethënë të forcave të asaj kohe serbe apo të Republikës Serbe që i quajnë ata si në Sarajevë, mbrojtjen e Sarajevës që e kemi bërë, kemi pasur drejtpërdrejtë disa herë sulmet. Edhe gjoks për gjoks e lë më, pothuajse në ato sulmet që shkojnë klasike…Edhe si sulm kemi pasur njohuri për ta, edhe kemi pasur luftimet jashtëzakonisht të forta në Bosnjën e Mesme. Po ne me u takuar s'kemi mundur me u takuar, se ai ka qenë në një pozicion e unë në pozicion tjetër”, tha ai.
Zyrapi thotë se Mladiq e ka marrë dënimin e merituar dhe se ky duhet të jetë një mësim që lufta nuk duhet të bëhet me popullatë n civile.
“Me veprimet e tij, me ushtrinë e tij që një forcë e ka pasur, edhe luftën e tij më shumë t'ia ketë bërë popullatës civile... e ka bërë kasapllakun me popullatën civile, atëherë nuk ke çfarë me i thënë tjetër përveçse kasapi i Ballkanit. Edhe një njeri faktikisht e ka marrë dënimin e merituar, dënimin e përjetshëm. Por kjo le të jetë edhe një mësim për të tjerët që lufta nuk bëhet me popullatën civile, me fëmijë e me pleq, por bëhet ushtri me ushtri”, përfundoi Zyrapi.
Kur lufta etnike në Bosnjë filloi në vitin 1992, Mladiq u bë komandant i forcave serbe të Bosnjës dhe mori nën kontroll pjesë të mëdha të vendit për të krijuar një entitet serb.
Forcat serbe nën kontrollin e Mladiqit rrethuan kryeqytetin, Sarajevën, si dhe qytete e fshatra të tjera, ngritën kampe për civilët joserbë të ndaluar dhe ushtarët kundërshtarë, si dhe vranë sistematikisht të burgosur.
Në Sarajevë, trupat serbe e mbajtën qytetin të izoluar, ndërsa vrisnin civilë me snajperë.
Në vitin 1995, forcat e Mladiqit masakruan më shumë se tetë mijë burra dhe djem boshnjakë në Srebrenicë, rasti i shpallur gjenocid nga Gjykata në Hagë./KosovaPress


