Benfica vendos çmimin për Jose Mourinhon
Jose Mourinho është rikthyer sërish në orbitën e Real Madridit, në një moment delikat për klubin madrilen që po shqyrton ndryshime të mëdha në stol.
Trajneri portugez, aktualisht nën kontratë me Benficën deri në vitin 2027, po përmendet si një nga opsionet më serioze për të marrë drejtimin e skuadrës “los blancos”.
Megjithatë, rikthimi i tij nuk do të jetë i lehtë. Kontrata e Mourinhos me Benficën përfshin një klauzolë largimi prej rreth shtatë milionë eurosh, e cila mund të aktivizohet menjëherë pas përfundimit të sezonit.
Kjo shumë e detyron Real Madridin të marrë një vendim të shpejtë nëse dëshiron të avancojë negociatat.
Raportimet nga Portugalia bëjnë të ditur se vetë Mourinho është i hapur ndaj mundësisë për t’u rikthyer në Madrid, aty ku gjatë periudhës së tij të parë la gjurmë të mëdha si në rezultate, ashtu edhe në aspektin mediatik.
Nga ana tjetër, Benfica po përpiqet të ruajë kontrollin mbi situatën. Klubi portugez është i vetëdijshëm se interesi i Real Madridit mund të ndryshojë rrjedhën e projektit aktual, megjithëse Mourinho vazhdon të ketë objektiva të rëndësishëm me ekipin deri në fund të sezonit.
Performancat jo të qëndrueshme dhe eliminimi nga garat evropiane kanë shtuar presionin mbi trajnerin portugez gjatë muajve të fundit.
Një rikthim i Mourinhos në La Liga do të sillte menjëherë vëmendje të madhe në futbollin spanjoll.
Ai mbetet një nga trajnerët më karizmatikë dhe më të komentuar në arenën evropiane, ndërsa eksperienca e tij me Real Madridin e bën një figurë që njeh shumë mirë presionin dhe kërkesat e klubit madrilen.
Për Real Madridin, emërimi i Mourinhos do të përfaqësonte një mesazh të fortë: rikthim i disiplinës, autoritetit dhe mentalitetit fitues në skuadër.
Megjithatë, drejtuesit e klubit duhet të peshojnë me kujdes nëse ia vlen të paguajnë shtatë milionë euro për një trajner që ende ka kontratë aktive me Benficën apo të orientohen drejt alternativave të tjera pa kosto.
Në Lisbonë pritet që situata të marrë zhvillime të shpejta në ditët e ardhshme, ndërsa në Madrid vendimi final mbetet në duart e drejtuesve të klubit. /Telegrafi/


