Please enter at least 3 characters.

BE-ja gjobit me 890 milionë euro Google

Bashkimi Evropian i ka vendosur Google një gjobë prej 890 milionë eurosh për shkelje të rregullave digjitale të BE-së. Sipas Komisionit Evropian, kompania favorizoi motorin e saj të kërkimit dhe dyqanin e aplikacioneve Google Play, duke dëmtuar konkurrencën.

Komisionerja për Çështjet Digjitale, Henna Virkkunen, tha se Google nuk u ka dhënë bizneseve rivale të njëjtën dukshmëri në Google Search dhe ka kufizuar zhvilluesit e aplikacioneve që t’u ofrojnë klientëve alternativa më të lira jashtë Google Play.

Komisioni Evropian paralajmëroi se Google mund të përballet me gjoba të tjera nëse nuk i përshtatet rregullave të BE-së.

Komisionerja për Konkurrencën, Teresa Ribera, tha se produktet duhet të kenë sukses për shkak të cilësisë së tyre dhe jo sepse favorizohen nga kompania që kontrollon motorin e kërkimit. Ajo shtoi se konsumatorët duhet të kenë mundësi të informohen për ofertat më të mira.

BE-ja e konsideron Google dhe kompaninë mëmë Alphabet si një "gatekeeper" (portier digjital), së bashku me kompani si Amazon, Apple, Meta, Microsoft dhe ByteDance, të cilat kontrollojnë qasjen e konsumatorëve në tregjet digjitale.

Drejtuesi i Google, Kent Walker, e kritikoi vendimin, duke thënë se gjoba do të dëmtojë funksione të dobishme të kërkimit dhe do të dobësojë mbrojtjen e përdoruesve në Google Play.

BE-ja prej vitesh po forcon rregullat për të kufizuar fuqinë e kompanive të mëdha teknologjike. Në vitin 2018, Google u gjobit me 4.3 miliardë euro për abuzim me pozitën dominuese të sistemit Android.

Së fundmi, BE-ja ka ndërmarrë masa edhe ndaj kompanive të tjera teknologjike, duke gjobitur AliExpress për shkelje të rregullave të sigurisë dhe duke paralajmëruar Meta-n për ndryshimin e elementeve të ashtuquajtura të "dizajnit varësues" në Facebook dhe Instagram. /Telegrafi/