BDI: Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat nuk garanton mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas zhvillimeve lidhur me Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke akuzuar koalicionin VLEN se ka propozuar një zgjidhje ligjore që, sipas partisë, nuk garanton përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Në reagimin e saj, BDI vlerëson se VLEN ka hyrë në Qeveri “pa legjitimitet etnik” dhe e akuzon se, për më shumë se dy vjet, e ka paraqitur ligjin si një arritje historike, ndërsa sipas saj, versioni i propozuar nuk përmban mekanizma që do të siguronin zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Sipas BDI-së, ligji është proceduar pa kuota etnike, pa mekanizma institucionalë për zbatimin e tij dhe pa sanksione për shkelësit, duke shtuar se një zgjidhje e tillë nuk ofron garanci reale për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.
Partia opozitare pretendon gjithashtu se projektligji nuk ka siguruar shumicën e nevojshme sipas parimit të Badenterit në Kuvend dhe se kjo, sipas saj, dëshmon mungesën e mbështetjes së deputetëve shqiptarë.
“BDI e bllokoi këtë përpjekje për të legalizuar cenimin e të drejtave të shqiptarëve dhe do ta bllokojë çdo herë kur të tentohet që diskriminimi të paketohet si ligj”, thuhet në reagimin e partisë.
Në fund, BDI thekson se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe zbatimin e standardeve kushtetuese, duke u thirrur edhe në parimet e Marrëveshjes së Ohrit.


