Please enter at least 3 characters.

BDI: Asnjë shqiptarë në shpërblimet shtetërore “8 Shtatori”, edhe suksesi i shqiptarëve po bëhet i padukshëm

2016/05/BDI-Selia.jpg

Edhe këtë vit, shqiptarët janë lënë jashtë nga shpërblimet shtetërore “8 Shtatori”, ku ndahet shpërblimi më i lartë për vepër jetësore dhe katër shpërblime financiare për arritje në fushën e sportit. 0 shqiptarë. Asnjë sportist, asnjë trajner, asnjë emër shqiptar nuk u konsiderua i denjë për këtë vlerësim shtetëror, thuhet në reagimin e BDI-së.

"Ky nuk është thjesht një rezultat në një listë shpërblimesh. Është tregues i një qasjeje që shqiptarët i përjashton nga çdo hapësirë ku shteti duhet të njohë kontributin, suksesin dhe talentin e tyre. Sportistët shqiptarë kanë përfaqësuar Maqedoninë e Veriut, kanë fituar medalje, kanë ngritur flamurin e shtetit në gara ndërkombëtare dhe kanë kontribuar me vite në zhvillimin e sportit, por kur vjen momenti për t’i vlerësuar, për ta nuk ka vend në listën shtetërore.

BDI pyet: Cili është kriteri që i bën shqiptarët të padukshëm edhe kur bëhet fjalë për sport dhe arritje profesionale? A është kjo “përfaqësimi i drejtë dhe adekuat” që premtoi VLEN- i? Apo edhe një dëshmi tjetër se shqiptarët po trajtohen si qytetarë të dorës së dytë?

Ne kërkojmë transparencë të plotë për kriteret, procedurën dhe përbërjen e komisionit që ka vendosur për këto shpërblime. Sepse 0 shqiptarë nuk mund të jetë gjithmonë rastësi. Kur përjashtimi përsëritet, ai bëhet politikë. Dhe BDI nuk do të heshtë përballë kësaj politike të diskriminimit dhe fshirjes së kontributit të shqiptarëve nga institucionet shtetërore", thonë nga BDI./Telegrafi/