Bayerni kampion i Bundesligas
Bavarezët mposhtën Hertha Berlinin (1-0) të shtunën për të shtuar në 15 pikë diferencën ndaj Wolfsburgut që sot (e shtunë) pësoi nga Borussia Monchengladbachu.
Humbja e rivalit më të afërt, nënkupton se Bayerni nuk mund të arrihet as matematikisht deri në mbyllje të sezonit 2014/2015.
Në edicionin e kaluar ekipi i Pep Guardiolas e fitoi titullin në kohë rekord (shtatë javë më herët), ndërsa edhe pse këtë sezon shpallja vjen pakëz më vonë (katër javë më herët), nuk ka pasur kurrfarë dyshimi gjatë gjithë sezonit se bavarezët do të triumfonin.
Bayerni është edhe në gjysmëfinale të DFB-Pokal (ndaj Borussia Dortmundit) dhe në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve (kundër Barcelonës).
Ky është titulli i 25-të i Bundesligas në histori të klubit bavarez. /Telegrafi/


