Barry Keoghan reagon ndaj urrejtjes online: Po nis një kapitull të ri
Aktori irlandez, Barry Keoghan, thotë se është gati të lërë pas komentet fyese për pamjen e tij dhe të hapë një kapitull të ri, duke u fokusuar te puna dhe duke injoruar negativitetin në internet.
Në një intervistë të re për Variety, ai u shpreh se dëshiron të hyjë në një fazë ku “puna të flasë në vend të tij”, duke e mbyllur këtë periudhë me sulme online dhe duke e shijuar më shumë momentin.
Keoghan ka qenë prej vitesh objekt i komenteve të ashpra në rrjete sociale, nga akuzat pas lindjes së djalit më 2022, deri te thashetheme për jetën e tij personale.
Ka pranuar se këto komente e kanë prekur shumë dhe e kanë shtyrë të tërhiqet, të mos dalë në evente dhe të mbyllet në vete, duke e quajtur situatën “problem” që kishte shkuar shumë larg.
Pavarësisht kësaj, karriera e tij ka vazhduar të rritet: ai fitoi BAFTA për rolin në “The Banshees of Inisherin”, për të cilin u nominua edhe për Golden Globe dhe Oscar, ndërsa filmi “Saltburn” i solli një tjetër nominim BAFTA.
Aktualisht, po xhiron serinë e filmave biografikë për 'Beatles', nën regjinë e Sam Mendes, ku do të luajë Ringo Starr.
Për këtë rol ka ndryshuar pamjen me një stil flokësh të viteve ’60, gjë që ka sjellë sërish komente negative.
Aktori tha se tani do të jetë edhe më i kujdesshëm në përzgjedhjen e projekteve, duke zgjedhur ato që e bëjnë të ndihet mirë dhe i japin mundësi të tregojë histori, të eksplorojë dhe të punojë me njerëz që mendojnë si ai. /Telegrafi/


