Barcelona merr vendimin përfundimtar për Denzel Dumfries
Edhe pse kanë shqyrtuar mundësinë e transferimit të tij, FC Barcelona ka vendosur përfundimisht të mos bëjë lëvizje për Denzel Dumfries. Klubi katalanas beson se pozicioni i mbrojtësit të djathtë është i mbuluar mjaft mirë.
E ardhmja e Dumfries nuk do të lidhet me Barcelonën, edhe pse agjenti i tij, Jorge Mendes, ia ka ofruar klubit shërbimet e lojtarit disa herë gjatë muajve të fundit.
Sipas mediave spanjolle, holandezi ishte një opsion interesant për shkak të profilit të tij sulmues dhe përkushtimit, por edhe për shkak të klauzolës së ulët prej 25 milionë eurosh dhe pagës së përballueshme.
Megjithatë, Barça ka vendosur të mos e ndjekë më këtë pistë dhe do të mbështetet te lojtarët që ka aktualisht në dispozicion për atë pozicion.
Klubi e konsideron Jules Kounde si një mbrojtës të djathtë të konvertuar dhe tani të paprekshëm në formacion. Sipas Fabrizio Romano, drejtuesit e Barcelonës duan të rinovojnë kontratën e tij sa më parë për të shmangur interesimin nga Premier League.
Trajneri Hansi Flick, nga ana tjetër, ka besim të plotë edhe te i riu Hector Fort dhe lojtari i gjithanshëm Eric García si zëvendësues të mundshëm për Koundén në rast nevoje.
Vetëm në rast se largohet një lojtar nga ekipi i parë, në një nga pozicionet e tejmbushura si qendra e mbrojtjes apo mesfusha, Barcelona do të hapte mundësinë për një nënshkrim të ri në krahun e djathtë. /Telegrafi/


