Barcelona gjen zëvendësuesin e Lewandowskit, synon yllin e Atletico Madridit
Barcelona ka nisur lëvizjet për të gjetur zëvendësuesin e Robert Lewandowskit, i cili pritet të largohet nga “Camp Nou” në fund të sezonit.
Në listën e objektivave të klubit katalanas ka hyrë seriozisht sulmuesi norvegjez Alexander Sorloth, aktualisht pjesë e Atletico Madrid.
Drejtori sportiv Deco po kërkon një sulmues me kosto të përballueshme, por që garanton eksperiencë dhe efektivitet të menjëhershëm në La Liga.
Sorloth shihet si profili ideal për repartin ofensiv të Barcelonës, falë forcës fizike, lojës së mirë në ajër dhe aftësisë për të qenë konstant rrezik në zonë.
Sulmuesi norvegjez nuk konsiderohet një “numër 9” tipik asociativ, por ai ofron prezencë të fortë përballë mbrojtjeve kundërshtare, di të mbajë topin dhe të shfrytëzojë maksimalisht krosimet.
Pikërisht këto cilësi konsiderohen të rëndësishme nga trajneri Hansi Flick për ndërtimin e repartit të ri ofensiv.
Sipas raportimeve, Atletico Madrid e vlerëson kartonin e Sorloth mes 20 dhe 25 milionë eurove.
Megjithatë, klubi madrilen nuk ka ndërmend ta lejojë lehtësisht largimin e tij, sidomos drejt një rivali direkt në garën për trofetë në Spanjë.
Edhe pse trajneri Diego Simeone vlerëson aftësitë e sulmuesit norvegjez, mungesa e vazhdimësisë si titullar mund të hapë rrugën për një transferim gjatë afatit kalimtar të verës.
Barcelona, nga ana tjetër, synon të realizojë një tranzicion sa më të qetë pas epokës së Lewandowskit, pa rënduar më tej situatën financiare të klubit.
Përvoja e Sorloth në futbollin spanjoll konsiderohet një avantazh i madh për katalanasit, pasi ai nuk do të kishte nevojë për kohë adaptimi në La Liga.
Megjithatë, negociatat mes dy klubeve pritet të jenë të vështira dhe të tensionuara, duke pasur parasysh rivalitetin e drejtpërdrejtë mes tyre. /Telegrafi/


