Please enter at least 3 characters.

Ballazhi prezanton projektin për shndërrimin e Trenit në Parkun Memorial Bllaca ’99 në muze përkujtimor

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka prezantuar projektin e hartuar për Trenin në Parkun Memorial Bllaca ’99, i cili parashihet të transformohet tërësisht në muze përkujtimor.

“Në këtë fillim jave, po ju prezantojmë projektin e hartuar për Trenin në Parkun Memorial Bllaca ’99, i cili parashihet të transformohet i gjithi në muze përkujtimor”, ka deklaruar Ballazhi.

Sipas tij, projekti ka për qëllim riaktivizimin e kësaj strukture ekzistuese si hapësirë muzeale dhe dokumentuese, duke i dhënë një dimension të ri memorial këtij lokacioni me rëndësi historike.

“Ky projekt synon riaktivizimin e kësaj strukture ekzistuese si hapësirë muzeale dhe dokumentuese, duke përfshirë ekspozitë kushtuar luftës së fundit, si dhe prezantimin e artefakteve dhe materialeve që dëshmojnë ngjarjet e asaj periudhe dhe shumë me rëndësi për Kosovën”, është shprehur kryetari i komunës.

Ballazhi ka theksuar se rëndësia e këtij projekti qëndron në ruajtjen dhe institucionalizimin e kujtesës historike, si dhe në edukimin e brezave të ardhshëm.

“Rëndësia e këtij projekti qëndron në ruajtjen dhe institucionalizimin e kujtesës historike, në dokumentimin e përvojës së luftës përmes dëshmive autentike, si dhe në forcimin e rolit të Parkut Memorial Bllaca ’99 si hapësirë e edukimit, reflektimit dhe ndërgjegjësimit publik për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm”, ka deklaruar ai.

Sipas njoftimit, hartimi i projektit është realizuar në bashkëpunim ndërmjet Komunës së Hanit të Elezit dhe Agjencionit për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale. /Telegrafi/