Balje për situatën politike: Fuqia për ndryshim vjen nga brenda, jo nga jashtë
Deputetja e legjislaturës së nëntë të Kosovës, Duda Balje para tentimit të 33'të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës tha se inatet politike duhet të kalohen sa më shpejtë në mënyrë që të formohen institucionet shtetërore.
Balje thotë se po ndihet keq që kjo situatë po ndikon në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, pasi Kuvendi nuk është funksional për të adresuar problemet dhe shqetësimet e tyre, transmeton KosovaPress.
"Fuqia vie nga brenda jo nga jashtë, nuk besoj që dikush ka vullnet për ta ndihmuar Kosovën nëse ne nuk e bëjmë këtë. Mendojmë që sa më shpejtë duhet të japim shenjë që jemi serioz. Duhet të ndalen inatet politike. Nuk jam lodhur, por po më vie keq edhe prej njerëzve. Nuk jemi funksional, nuk mund t'i ndihmojmë njerëzit. Duhet të gjejmë zgjidhje dhe jo të bojkotojmë institucionet e vendit", tha Balje.
Teksa po vazhdon ngërçi politik institucional, deputetët e Kosovës e kanë të paqartë nëse do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e pushimit.
Balje tha se e ka të paqartë nëse do të mund të shfrytëzojnë të drejtën për pushim pa konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
"Nuk e besoj, nëse kryetari që është tash aktual jep ndonjë mundësi, nuk e di. Ne me rregullore kemi të drejtë, por a kemi të drejtë për ta respektuar rregulloren sepse ende nuk e kemi formuar Kuvendin e Kosovës nuk jam e sigurtë", tha Balje.


