Bajrami: Kushtetuta nuk mund të interpretohet sipas kalkulimeve politike të ditës
Profesori i së drejtës kushtetuese dhe njëri prej hartuesve kryesorë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami ka reaguar lidhur me krizën aktuale politike dhe kushtetuese në vend, veçanërisht për bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe pasojat që mund të ketë kjo situatë për funksionimin e institucioneve.
Bajrami ka bërë të ditur se pas një periudhe të gjatë heshtjeje dhe qëndrimi jashtë debatit të përditshëm politik e mediatik, e ka parë të nevojshme të flasë publikisht për situatën.
Ai ka theksuar se heshtja e tij nuk ka nënkuptuar mungesë interesi apo tërheqje nga përgjegjësia publike, por ka qenë një qëndrim i vetëdijshëm profesional dhe, sipas tij, edhe një formë proteste ndaj mënyrës se si është zhvilluar debati kushtetues.
Sipas Bajramit, çështjet juridike dhe kushtetuese nuk duhet të trajtohen vetëm në kuadër të debateve politike apo televizive, pasi interpretimi i Kushtetutës kërkon një qasje profesionale dhe të bazuar në tërësinë e dokumentit kushtetues.
“Kushtetuta nuk mund të interpretohet sipas logjikës së studios televizive, sipas kalkulimeve politike të ditës apo sipas interesave të momentit”, është shprehur ai.
Bajrami: Kushtetuta duhet lexuar në tërësi
Profesori i së drejtës kushtetuese ka argumentuar se Kushtetuta duhet të interpretohet në përputhje me parimet mbi të cilat është ndërtuar, duke marrë parasysh edhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë kontekst, ai e ka cilësuar si detyrim profesional ndërhyrjen e tij në debatin publik në një moment kur, sipas tij, vendi po përballet me një situatë serioze institucionale.
Bajrami ka sqaruar se nuk po flet në cilësinë e një analisti politik, por si profesor i së drejtës kushtetuese dhe si një nga personat e përfshirë në hartimin e Kushtetutës së Kosovës.
Ai ka paralajmëruar se pikëpamjet e tij do t'i paraqesë përmes dhjetë çështjeve themelore, të cilat, sipas tij, janë të rëndësishme për të kuptuar krizën aktuale dhe për ta orientuar debatin publik drejt një interpretimi sa më të saktë të Kushtetutës.
Në qendër të shqetësimit të tij qëndron bllokimi i konstituimit të Kuvendit, si dhe pasojat që mund të prodhojë zgjatja e kësaj situate për funksionimin normal të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Reagimi i Bajramit vjen në një kohë kur debati politik në Kosovë është përqendruar te respektimi i afateve kushtetuese, procedurave të konstituimit të Kuvendit dhe përgjegjësisë së institucioneve për të garantuar funksionimin e rendit kushtetues. /Telegrafi/


