Please enter at least 3 characters.

Azemi: Në shkollën“Ismail Qemali” u tentua të ndërhyhet në grevë, punëtorët teknikë janë që 45 ditë pa paga

Shkolla “Ismail Qemali” në Prishtinë po përballet me grumbullim të mbeturinave nëpër klasa, si pasojë e grevës së punëtorëve teknikë, të cilët, sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve Teknikë, Jusuf Azemi, janë në ditën e 45-të pa paga.

“Sot është dita e 45-të që punëtorët nuk kanë marrë pagat e tyre. Sa do të zgjasë greva, kjo varet nga përmbushja e kërkesave të Komunës së Prishtinës”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka thënë se pikërisht në shkollën “Ismail Qemali” është bërë një përpjekje për të ndërhyrë në grevë dhe për të kryer pastrimin e hapësirave të shkollës.

“Sot pikërisht në shkollën ‘Ismail Qemali’ është bërë thyerja e grevës. Janë futur disa individë që nuk janë punëtorë të kompanisë së kontraktuar dhe kanë tentuar të bëjnë pastrimin”, ka thënë Azemi për Telegrafin.

Sipas tij, për këtë çështje sindikata ka përgatitur edhe materiale ligjore dhe një padi ndaj drejtorit të shkollës.

“Ne kemi përgatitur materialin ligjor dhe peticionin për ta paditur drejtorin e shkollës ‘Ismail Qemali’, për shkak të shkeljes së Ligjit të Punës, Ligjit për Organizimin Sindikal dhe Ligjit për Grevat”, ka deklaruar ai.


Azemi ka thënë se punëtorët teknikë kanë kërkuar që greva e tyre të respektohet dhe se, sipas tij, punëtorët nuk duhet të pengohen apo të ushtrohet presion ndaj tyre gjatë një greve të ligjshme.

“Ligji e përcakton qartë se punëtorët nuk duhet të pengohen dhe as të bëhet presion ndaj tyre kur greva është e ligjshme dhe e arsyeshme”, është shprehur Azemi.

Ai ka treguar se punëtorët kishin shprehur gatishmëri për të reaguar fizikisht ndaj personave që do të hynin për të kryer pastrimin, por tha se për sot i ka kërkuar atyre që të mos ketë përplasje.

“Punëtorët kanë dashur të përballen fizikisht me këdo që hyn për të pastruar, për ta mbrojtur vendin e tyre të punës, por unë sot u kam kërkuar që të mos ketë përplasje fizike”, ka thënë Azemi.

Megjithatë, ai ka paralajmëruar se situata mund të tensionohet nëse edhe në ditët në vijim vazhdojnë përpjekjet për të zëvendësuar punëtorët që janë në grevë.

“Nëse nga nesër vazhdojnë përpjekjet për të bërë pastrimin në këtë mënyrë, ata që do të tentojnë ta bëjnë këtë duhet ta presin edhe përballjen fizike”, ka deklaruar Azemi.

Greva e punëtorëve teknikë po vazhdon në pritje të përmbushjes së kërkesave të tyre, ndërsa mungesa e pastrimit ka shkaktuar grumbullim të mbeturinave në hapësirat e shkollës “Ismail Qemali”. /Telegrafi/