Please enter at least 3 characters.

"Awop-bop-aloobop alop-bam-boom!": Pse kënga hit e Little Richardit ishte e guximshme

Little Richard (1932-2020)
Burimi: Alamy

Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Awop-bop-aloobop alop-bam-boom! Me një shpërthim të habitshëm të nonsensit, Little Richard ia prezantoi vetveten botës. A e ka përdorur zërin për të imituar tingullin e një ritmi në daulle apo ato fjalë të çuditshme kishin kuptim të fshehtë më të thellë? Cilado qoftë përgjigjja, Tutti Frutti u bë menjëherë klasik - qëkur u publikua 70 vjet më parë, më 20 tetor 1955 - dhe adoleshentët e botës e shndërruan atë në yll. Duke bërtitur si i pushtuar nga djalli, i vetëquajturi “Pjeshka nga Gjeorgjia” ishte në krye të top-listave për disa vjet, me një varg këngësh si Lucille, Good Golly Miss Molly dhe Long Tall Sally.

Por, deri në fund të dekadës, ditët e tij të lavdisë përfunduan. Tha se ishte fajtor sepse ka luajtur muzikën e djallit dhe u kthye në shtëpinë e tij në Gjorgjia për të kënduar muzikë ungjillore. Rokeri i papërmbajtshëm u përpoq disa herë të rikthehej në skenën pop gjatë viteve në vijim, por vrulli fillestar ishte shuar. Megjithatë, cilësia e tij si superyll mbeti e pandryshuar.

Në vitin 1972, në moshën e pjekur 39-vjeçare, Richardi ishte sërish në rrugën e rikthimit në Londër - si një nga gjeneratat e para të rokerëve që hynin në moshë të mesme dhe që konsiderohej si “plak” i artë. Ai ndodhej në qytet për të qenë bashkë me Chuck Berryn në një koncert veror në Stadium Uembli - të titulluar The London Rock and Roll Show.

Në një intervistë për BBC-në për të promovuar koncertin, Richardi bërtiti: “Le ta kalojmë kohën me bukuroshin Little Richard nga Mejkoni i Gjorgjias. Unë jam mbreti i rokënrolit”! Prezantuesi Ray Connolly, me një cinizëm klasik e pyeti: “A ke qenë gjithmonë kaq i turpshëm”? Për një intervistues të ri në televizion, ky moment ishte pagëzim me zjarr.

- YouTubewww.youtube.com

I lindur si Richard Penniman në vitin 1932 - “kam gjashtë vëllezër dhe pesë motra, por unë isha më i bukuri nga të gjithë dhe nuk jam aspak mendjemadh” - Richard tha se ishte rritur duke kënduar në kishën e gjyshit të tij predikues. “E luaja Tutti Frutti dhe Long Tall Sally ndërsa ai predikonte”. Në vitet ’50 të shekullit XX, ndarja racore në ShBA nënkuptonte se mundësitë ishin të kufizuara për artistët me ngjyrë. Richardi gjeti një hapësirë të sigurt sekulare për të zhvilluar talentin e tij të papërpunuar në një rrjet vendesh për performanca të krijuara nga artistë dhe sipërmarrës me ngjyrë [Chitlin’ Circuit], kryesisht në Jugun e Thellë. Pikërisht në këto vende lindi tingulli i rokënrolit.

I etur për t’i shpëtuar punës së tij si larës enësh në stacionin e autobusëve në Mejkon - “Kisha kaq shumë kohë që laja pjata, isha lodhur” - ia dërgoi një demo shtëpisë diskografike “Specialty Records” me bazë në Los Anxhelos. Në arkivat e dokumentarit të BBC-së të vitit 2023, Arena: Mbreti dhe mbretëresha e rokënrolit, themeluesi i produksionit, Art Rupe, ka thënë: “Nuk e dëgjuam kasetën menjëherë. Ishte me defekte dhe me incizim të dobët. Por, ai vazhdoi të na telefononte, ndaj më në fund thashë: ‘Gjeni atë kasetë’. E gjetëm dhe e dëgjuam. Po të mos ishte këmbëngulja e Richardit, nuk do ta kishim takuar kurrë Little Richardin”.

Seancat e para të incizimit në Nju-Orlins nuk arritën të kapnin magjinë e tij. Producenti Robert “Bumps” Blackwell tha se nuk e kishte vlerësuar Richardin derisa nuk e ka parë duke performuar në klubin legjendar të qytetit, “Dew Drop Inn”. Ai tha: “Atëherë fillova ta kuptoj dhe ta njoh Richardin, sepse mjafton t’i japësh një audiencë, të ndizet drita, dhe shfaqja ka filluar”. Shoku dhe anëtari i grupit të Richardit, Ron Jones, ka thënë në dokumentar: “Ai u hodh mbi piano dhe këndoi: Awop-bop-a loo bop alop-bam-boom! Ata e dëgjuan dhe thanë: ‘Prisni pak, çfarë është kjo’? Ishte një motiv që nuk e kishin dëgjuar kurrë më parë, por Richardi e kishte kënduar këtë frazë prej vitesh në skenë [rrjetin Chitlin' Circuit]”.

Por, që Tutti Frutti të bëhej një hit, duhej një rishkrim i tekstit - për shkak të përmbajtjes së nënkuptuar seksuale. Deacon John, ish-drejtues i grupit në “Dew Drop Inn”, i tha Arena-s: “Teksti mund të interpretohej si seks homoseksual. Ata nuk do ta lëshonin në radio! ... Dhe të gjithë e dinin; kjo nuk kishte të bënte me akullore! Por, reagimi kryesor nga producenti ishte: ‘Hej, tingëllon si hit’”! Producenti Blackwell ka thënë: “E pyeta nëse kishte ndonjë mëri ndaj fitimit parave. Ai tha: ‘Jo’. I thashë: ‘Mirë atëherë’. Kështu që shkruam fjalët: Tutti frutti, oh rooty, me një vajzë të quajtur Sju dhe një tjetër Deizi, e vendosëm Richardin mbi piano, dhe për 15 minuta incizuam dy ose tri këngë. Dhe, pjesa tjetër është histori”.

- YouTubewww.youtube.com

Incizimi mund të ketë qenë i pamposhtur, por në ShBA nuk ishte versioni më i suksesshëm. Njeriu që ia prezantoi këngën Tutti Frutti publikut të gjerë ishte Pat Boone, një djalosh pedant dhe konservator, i njohur për zbutjen e rokënrolit për një audiencë kryesisht të bardhë. Po të kishte ditur diçka për tekstin origjinal në atë kohë, ndoshta do të ishte tmerruar. Boone tha në Arena: “Ajo që doja të këndoja ishin këngë për dashuri dhe lumturi e gjëra të tilla. Kjo ishte ajo që lëshohej në radio asokohe. Muzika ritëm dhe bluz quhej muzikë e racës. Dhe, unë isha një djalë i bardhë që shkoja në kishë, nga Neshvili. Dija shumë pak për këtë muzikë. Por, kur dëgjova një këngë nga Little Richard të quajtur Tutti Frutti, u dashurova me të. Dhe, mendova, ‘Do të bëj versionin tim’”. Ai shiti një milion disqe.

Boone hedh poshtë çdo akuzë për përvetësim kulturor. “Disa njerëz, nëse nuk e kanë jetuar atë epokë, mendojnë se po merrnim diçka nga këngëtarët e zinj. Jo, nuk po e bënim këtë. Ne po e prezantonim atë për një audiencë shumë më të madhe. E kam thënë shumë herë: unë dhe Elvisi ishim si ‘mamitë’ në lindjen e rokënrolit”. Vetë Little Richard tha se nuk e ka shqetësuar versioni i Booneit që ishte shitur më shumë. Ai i tha BBC-së: “Më bëri të ndihem mirë. Ata hapën një derë që ishte e mbyllur dhe unë nuk mund të hyja”.

Richardi mund të ketë shpërthyer përmes derës së mbyllur, por largimi i tij në fund të viteve ‘50 të shekullit XX ishte po aq dramatik. Në autobiografinë e tij, ai pretendoi se gjatë një fluturimi të trazuar nga Melburni për në Sydnej, pa motorët e nxehtë të aeroplanit dhe ndjeu se engjëjt po e mbanin pezull. Pas koncertit në Sidnej, ai pa një zjarr të madh të kuq në qiell. Më vonë kjo u identifikua si sateliti rus “Sputnik 1”, por Richardi e interpretoi si shenjë nga Zoti për të braktisur muzikën laike dhe për t’u penduar.

Megjithëse kishte pranuar hapur orientimin e tij homoseksual për shumë vite, ai gjithashtu kishte marrëdhënie me gra. Në vitin 1959, u martua me besimtaren evangjelistë Ernestine Harvin dhe më vonë adoptoi një djalë. Kur u pagëzua sërish si anëtar i Adventistëve të Ditës së Shtatë, hoqi dorë nga homoseksualiteti duke e paraqitur atë si një zgjedhje të përkohshme që kishte bërë.

- YouTubewww.youtube.com

Brenda pesë vjetëve nga braktisja e rokënrolit, u rikthye në skenë dhe filloi të bëjë turne. The Beatles dhe The Rolling Stones ishin mes artistëve të rinj që ndanin skenën me të në Evropë, duke e parë natë pas nate teksa jepte një mësim mjeshtëror për performancën skenike. Bateristi grupit i Beatles, Ringo Starr, i tha dokumentarit Arena se Richardi ishte frymëzues i madh, ndërsa kitaristi i Rolling Stones, Keith Richards, pranoi: “Unë dhe Micku [Jagger] përpiqeshim të ngjiteshim në skelat e teatrit dhe ta shihnim nga lart, për të parë se si funksiononte ai. Ishte një mësim se sa shumë punë duhej bërë nëse doje ta bëje këtë gjë”.

Ndikimi i Richardit përshkoi breza dhe zhanre të ndryshme; artistët si Bob Dylan, James Brown, Otis Redding dhe David Bowie e kanë përmendur si frymëzim, ndërsa Jimi Hendrix, në rininë e tij, ishte kitarist i grupit të tij. Kur grupi Queen performoi në Stadiumin Uembli në vitin 1986, një vit pas suksesit të madh në koncertin “Live Aid”, një nga këngët e interpretuara ishte Tutti Frutti.

Por, çfarë kuptimi kishte në të vërtetë fraza e famshme e Richardit: Awop-bop-aloobop alop-bam-boom? Në një intervistë për revistën “Rolling Stone” në vitin 1970, ai pretendoi se e kishte shpikur si një mënyrë të fshehtë për të sharë shefin e tij në stacionin e autobusëve ku ka punuar. “Ai sillte gjithë ato tenxhere për t’i larë, dhe një ditë thashë: ‘Duhet të bëj diçka për ta ndalur këtë njeri që më sjellë tenxhere për të larë’. Dhe, thashë: Awop-bop-aloobop alop-bam-boom, merri dhe ik’! Kjo ishte ajo që doja të thosha në atë kohë. Kështu që e shkrova Tutti Frutti-n në kuzhinë, shkrova Good Golly Miss Molly-n në kuzhinë, shkrova Long Tall Sally-n po aty”.

Edhe pse në kohën e intervistës me BBC-në, në vitin 1972, ishte larguar paksa nga muzika gospel, Richardi mbeti besimtar i vërtetë në fuqinë e rokënrolit. Ai tha: “E konsideroj muzikën time të shenjtë, dhe e konsideroj këngën Long Tall Sally të shenjtë. Nuk e kam fjalën se është himn në kishë, por nuk ka asgjë të keqe në të. Është këngë dashurie dhe gëzimi. Në një botë kaosi, rrëmuje dhe përplasjeje, na nevojitet pak gëzim”. /Telegrafi/