Please enter at least 3 characters.

Asociacioni Hera reagon ndaj ministres Janevska: Edukimi seksual është masë mbrojtëse

Asociacioni Hera ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, për tërheqjen e lëndës zgjedhore Edukim Seksual nga shkollat e mesme.

Tërheqja e programit dhe lëndës zgjedhore “Edukimi seksual” nga arsimi i mesëm mund t’i lërë të rinjtë pa një nga mjetet kryesore për njohjen dhe parandalimin e rreziqeve, thonë nga Hera.

“Edukimi seksual nuk është kërcënim për fëmijët”, thekson HERA, duke shtuar se ai i mëson të rinjtë të njohin pëlqimin, të vendosin kufij personalë, të identifikojnë abuzimin, të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme dhe të kërkojnë ndihmë kur janë në rrezik.
Sipas të dhënave të cituara nga organizata, rreth 10% e fëmijëve të moshës 12 deri në 17 vjeç në Maqedoninë e Veriut, ose pothuajse 12 mijë fëmijë, janë ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual përmes teknologjisë brenda vetëm një viti.
Shifrat e tjera janë po ashtu shqetësuese.

HERA thotë se 8% e fëmijëve janë ekspozuar ndaj imazheve seksuale, 5% kanë marrë kërkesa të padëshiruara për fotografi ose video intime, ndërsa 4% janë përballur me shantazh lidhur me publikimin e përmbajtjeve intime.

Në 78% të rasteve, personi që kryen abuzimin është dikush që fëmija e njeh, ndërsa më shumë se gjysma e rasteve të shfrytëzimit seksual ndodhin përmes rrjeteve sociale.

Në këtë situatë, HERA e konsideron veçanërisht shqetësues faktin se vetëm 19% e fëmijëve të anketuar kanë deklaruar se kanë marrë ndonjë formë edukimi seksual.

Organizata përmend edhe të dhënat për shëndetin seksual dhe riprodhues, sipas të cilave 588 fëmijë kanë lindur në vitin 2024 nga nëna të moshës 15 deri në 19 vjeç, ndërsa në vetëm një muaj janë regjistruar 11 raste të reja me HIV.

Edukimi seksual është masë mbrojtëse.

HERA i referohet edhe hulumtimit ndërkombëtar Disrupting Harm, të realizuar nga UNICEF, INTERPOL dhe ECPAT International, i cili rekomandon edukim të përshtatshëm për moshën mbi marrëdhëniet, kufijtë dhe pëlqimin në programet shkollore.

“Pse hiqet pikërisht mjeti që duhet t’i mbrojë fëmijët?”

Nga HERA shtrojnë një pyetje drejtpërdrejt për institucionet: nëse fëmijët përballen çdo ditë me dhunë, abuzim, shantazh dhe dezinformata në internet, pse të tërhiqet pikërisht mjeti që synon t’i ndihmojë ata të njohin dhe shmangin këto rreziqe?

Sipas organizatës, tërheqja e edukimit seksual nuk do t’i zhdukë rreziqet që ekzistojnë në shoqëri dhe në internet. “Fëmijëve nuk u duhet më pak arsimim, por më shumë njohuri, më shumë parandalim dhe më shumë mbrojtje”, thonë nga HERA.