“Askush nuk më ka kontaktuar”, Pamela Anderson flet për rikthimin e “Baywatch” pas më shumë se 30 vitesh
Pamela Anderson ka bërë një deklaratë surprizuese lidhur me rikthimin e serialit ikonik “Baywatch”, duke zbuluar se nuk është kontaktuar nga producentët e versionit të ri që pritet të shfaqet në vitin 2027.
Aktorja 59-vjeçare, e cila u bë e famshme në rolin e rojes bregdetare CJ Parker, tha në një intervistë për Deadline se askush nga ekipi i serialit nuk i ka ofruar as një rol të shkurtër në projektin e ri.
“Askush nuk më ka kontaktuar. Nuk di shumë për këtë”, u shpreh Anderson, duke shtuar se gjithsesi nuk ka plane të rikthehet në serialin që e bëri të njohur në mbarë botën, shkruan DailyMail.
Megjithatë, ajo zbuloi se producentët kishin zhvilluar bisedime me dy djemtë e saj, Brandon Thomas Lee dhe Dylan Jagger Lee, të cilët i ka me ish-bashkëshortin Tommy Lee. Sipas saj, nuk u arrit asnjë marrëveshje, por u uroi sukses të gjithëve të përfshirë në projekt.
Anderson ishte pjesë e “Baywatch” nga viti 1992 deri në 1997, duke interpretuar në 77 episode dhe duke rikthyer më vonë personazhin e saj në filmin “Baywatch: Hawaiian Wedding” në vitin 2003.
Seriali i ri, ku do të luajnë Brooks Nader, Shay Mitchell dhe Stephen Amell, është planifikuar të ketë premierën në janar të vitit 2027 në Fox dhe më pas do të jetë i disponueshëm edhe në Hulu.
Duke reflektuar mbi eksperiencën e saj në serial, Anderson tha se “Baywatch” ishte një punë që e shijonte çdo ditë dhe që i hapi dyert e famës ndërkombëtare.
Megjithatë, ajo theksoi se tashmë dëshiron të fokusohet në projekte të reja dhe role krejtësisht të ndryshme.
“Tani është koha ime për të luajtur personazhe të ndryshëm. Dua të bëj zgjedhje të guximshme, të befasoj njerëzit dhe të befasoj edhe veten”, u shpreh aktorja, duke shtuar se po shqyrton projekte të reja në film dhe teatër. /Telegrafi/


