Please enter at least 3 characters.

ASK: Të hyrat dhe shpenzimet qeveritare u rritën në tremujorin e tretë të këtij viti

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Llogaritë Qeveritare për periudhën e tremujorit të tretë të vitit 2025 ku paraqiten të hyrat dhe shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme.

Sipas ASK-së, të hyrat e Qeverisë kanë shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

“Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në TM3 2025 ishin 927.2 milionë euro, derisa të hyrat në TM3 2024 ishin 818.7 milionë euro”, thuhet në njoftim.

Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte me 73.6%, tatimet rrjedhëse në të ardhura me 14.1%, si dhe pagesat për prodhimin jashtë tregut (shitjet) me 3.8%. Pjesa e mbetur shpërndahet në kategori të tjera të të hyrave.

Në të njëjtën kohë janë rritur edhe shpenzimet e Qeverisë.

“Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në TM3 2025 ishin 826.6 milionë euro, derisa shpenzimet në TM3 2024 ishin 774.8 milionë euro”, bëhet e ditur në njoftim.

Shpenzimet më të mëdha janë regjistruar në kompensimin e punëtorëve (28.2%), kontributet sociale dhe përfitimet (25.9%), formimin e kapitalit bruto (13.7%) dhe konsumin e ndërmjetëm (13.6%). Shuma e mbetur ndahet në kategori të tjera të shpenzimeve, sipas klasifikimit ESA2010.

Publikimi i ASK-së ofron një pasqyrë të detajuar të zhvillimeve fiskale të Qeverisë së Kosovës për këtë periudhë tremujore. /Telegrafi/