ASK: Rritet përdorimi i telefonisë fikse, ndërsa bie numri i udhëtarëve në hekurudha
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të fundit për statistikat e transportit dhe telekomunikimit për muajin shkurt 2026, duke treguar zhvillime të ndryshme në sektorë të ndryshëm.
Sipas raportit, transporti hekurudhor ka shënuar rënie. Në shkurt 2026, numri i udhëtarëve në hekurudha ishte 5505, që paraqet një ulje prej 10,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ndërkohë, gjatë këtij muaji nuk është transportuar asnjë mall përmes hekurudhës.
Në anën tjetër, transporti ajror ka shënuar rritje të lehtë. Numri i fluturimeve të realizuara arriti në 953, që është 1,0% më shumë se në shkurtin e vitit të kaluar. Po ashtu, numri total i udhëtarëve ishte 308 080, duke shënuar një rritje prej 0,3% krahasuar me shkurtin 2025.
Sa i përket telekomunikimit, telefonia fikse ka regjistruar rritje. Numri i përdoruesve arriti në 68,884, ose 2,0% më shumë krahasuar me një vit më parë. Trafiku i realizuar në këtë rrjet (në minuta) ishte 1,895, 826, duke shënuar rritje prej 10,5%.
Edhe telefonia mobile ka shënuar rritje. Numri i përdoruesve me parapagim (prepaid) ishte 1,506, 678, ose 1,10% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa, përdoruesit me kontratë (postpaid) arritën në 317,245, me një rritje prej 0,77%.
Të dhënat tregojnë një trend të qëndrueshëm në sektorin e telekomunikimit, ndërsa transporti hekurudhor vazhdon të përballet me sfida në uljen e numrit të udhëtarëve./Telegrafi/


