Please enter at least 3 characters.

ASK: Rritet numri i vizitorëve në hotelet e Kosovës gjatë majit 2026

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Hotelerisë për muajin maj 2026, sipas të cilave sektori hotelier ka shënuar rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë muajit maj 2026 në hotelet e Kosovës janë regjistruar gjithsej 69 mijë e 81 vizitorë, prej të cilëve 25 mijë e 26 kanë qenë vizitorë vendorë, ndërsa 44 mijë e 55 vizitorë të jashtëm.

Krahasuar me muajin maj të vitit 2025, kur ishin regjistruar 61 mijë e 931 vizitorë, numri i përgjithshëm i vizitorëve në hotele është rritur për 11,5 për qind.

Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 155 mijë e 599 net-qëndrime në hotele. Nga ky numër, 88 mijë e 957 net-qëndrime, apo 57,2 për qind, u takojnë vizitorëve të jashtëm, ndërsa 66 mijë e 642 net-qëndrime, apo 42,8 për qind, vizitorëve vendorë.

ASK ka bërë të ditur se edhe numri i vizitorëve të huaj ka shënuar rritje në krahasim me majin e vitit 2025.

“Në muajin maj 2026, krahasuar me periudhën paraprake (maj 2025), pati rritje të vizitorëve për 18,1 për qind”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas statistikave, gjatë majit të këtij viti në Kosovë kanë qëndruar 44 mijë e 55 vizitorë të huaj, ndërsa numri më i madh i tyre ka ardhur nga Shqipëria, Gjermania, Turqia dhe Zvicra.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se sektori i hotelerisë ka vazhduar trendin e rritjes së numrit të vizitorëve, me një ndikim të veçantë nga ardhja e turistëve dhe vizitorëve nga jashtë vendit. /Telegrafi/