Please enter at least 3 characters.

ASH: Nxënësit shqiptar në Idrizovë vazhdojnë të privohen nga e drejta për arsim në gjuhën e tyre amtare

2024/05/ASH-aleanca.png
ASH Aleanca
ASH

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar në lidhje me nxënësit shqiptarë në Idrizovë, të cilëve nuk u mundësohet mësimi në gjuhën shqipe.

Nga Aleanca thonë se në shkollën fillore “Njegosh”, nxënësit shqiptarë mund ta ndjekin mësimin në gjuhën shqipe vetëm deri në klasën e pestë.

"Nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, ata detyrohen të vazhdojnë shkollimin në komuna të tjera vetëm që të mund të mësojnë në gjuhën e tyre. Është e papranueshme që në vitin 2026 fëmijët shqiptarë të përballen ende me pengesa të tilla. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, deklaron se është mirë që fëmijët të mësojnë në gjuhën e tyre amtare. Nëse ky është vërtet qëndrimi i saj dhe i Qeverisë, atëherë presim që të dëshmohet me vepra".

"Çfarë i pengon institucionet që në shkollën “Njegosh” të hapin paralele në gjuhën shqipe edhe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën? Përgjegjësi mban edhe VLEN-i, i cili hyri në Qeveri duke premtuar mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, ndërsa pikërisht në Ministrinë e Arsimit ka zëvendësministër shqiptar. Për çfarë shërben ky pushtet, nëse nuk mund të sigurohet as e drejta që fëmijët shqiptarë ta përfundojnë arsimin fillor në gjuhën e tyre dhe në vendbanimin e tyre?", thonë nga ASH.

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria që menjëherë të ndërmarrin procedurat për hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën në Idrizovë.