Please enter at least 3 characters.

ASH: 40.3% e të gjithë të papunëve në vend janë shqiptarë

2024/05/ASH-aleanca.png
ASH Aleanca
ASH

Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar Qeverinë për politikën e punësimit, duke theksuar se në vend ka mbi 35 mijë shqiptarë të evidentuar si të papunë, ndërsa paralelisht janë hapur kuota për punësimin e 10 mijë punëtorëve nga jashtë.

Sipas ASH-së, 35.757 shqiptarë figurojnë si të papunë aktivë, që përbëjnë rreth 40,3 për qind të numrit të përgjithshëm të të papunëve në vend.

“Ndërkohë mbi 60 për qind e punëdhënësve thonë se kanë nevojë për punëtorë, ka mbi 10 mijë vende të lira pune, ndërsa Qeveria hap kuota për 10 mijë punëtorë nga jashtë”, thuhet në komunikatën e ASH-së.

Partia opozitare shqiptare ka drejtuar kritika edhe ndaj koalicionit VLEN, duke ngritur pyetjen se ku është roli i tij në këtë situatë.

“Kur Mickoski e thotë vetë se janë hapur 17 mijë vende të reja pune, VLEN krenohet me vetëm rreth 2.000 punësime dhe avancime”, deklaron ASH, duke pretenduar se edhe kjo shifër paraqitet si më e madhe duke përfshirë së bashku punësimet dhe avancimet.

ASH e lidh situatën e tregut të punës edhe me emigrimin e të rinjve shqiptarë. Sipas kësaj partie, të rinjtë po largohen drejt Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë dhe vendeve të tjera evropiane për shkak të mungesës së perspektivës profesionale dhe ekonomike në vend.

“Maqedonia po importon punëtorë. Shqiptarët po eksportojnë fëmijët e tyre”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Në përfundim, partia akuzon VLEN-in se është fokusuar në funksionet dhe pozitat e pushtetit, ndërsa, sipas saj, nuk ka ofruar rezultate të mjaftueshme për punësimin e shqiptarëve.

“Ky është bilanci i tyre. Më shumë pushtet për VLEN-in, më pak shqiptarë në vend”, thonë nga ASH.