Artan Latifi hero, Drita mbetet në Superligë
Pjesa e parë kaloi nën dominim të lehtë të Dritës, që synonte nga disa gjysmë raste të shënonte por nuk ia arrinin një gjëje të tillë.
Ashtu si në ndeshjen e parë mes Gjilanit dhe Vëllaznimit, ndodhi edhe në këtë mes Dritës dhe Flamurtarit.
Në pjesën e dytë të dyja skuadrat nuk treguan pothuajse asgjë (0-0), duke kërkuar lojën shtesë dhe penalltitë.
Flamurtari kaloi në epërsi në minutën e 95-të, kur pas një harkimi në zonë nga Arbër Makolli, ishte Alban Bojniku që shënoi me kokë për 1-0.
Festa e kryeqytetasve nuk zgjati më shumë se pesë minuta, pasi mbrojtësi i gjilanasve, Përparim Osmani u pengua në zonë dhe gjyqtari Kreshnik Vula akordoi penallti.
I saktë nga pika e bardhë ishte mesfushori me përvojë të madhe, Mensur Limani duke sjellë gëzim të papërshkrueshëm tek tifozët gjilanas ‘Intelektualët’, të cilët kishin udhëtuar në numër tejet të madh në Mitrovicë.
Drita humbi penalltinë e parë nëpërmjet Armand Kastratit, ndërsa të njëjtën gjë e bëri edhe Përparim Osmani, derisa Dritës mbijetesën ia siguruan Ismet Ramushi, Alban Shillova dhe Mensur Limani që shënuan gola. Por më meritori për këtë fitore ishte portieri i gjilanasve Artan Latifi që priti tre penallti të Flamurtarit.
Kësisoj dy skuadrat nga qyteti i Gjilanit, Drita dhe Gjilani do të jenë në elitën e futbollit kosovar ku adhuruesit e futbollit do të kenë mundësi ta shijojnë derbin më të madh lokal në Kosovë dhe jo vetëm. /Telegrafi/
Drita
Armend Kastrati humb
Mensur Limani shënon
Përparim Osmani humb
Alban Shillova shënon
Ismet Ramushi shënon
Flamurtari
Emir Rama shënon
Durim Qorri humb
Granit Cana humb
Leotrim Troshupa humb
Drita – Flamurtari 0-0 (1:1) (3-1 pas penalltive)


