Please enter at least 3 characters.

Arrestohet një i mitur në Ferizaj, dyshohet për kanosje me armë dhe armëmbajtje pa leje

Një person i mitur është arrestuar në Ferizaj, pasi dyshohet se ka kanosur dy persona me armë dhe është kapur në posedim të një pistolete me gas.

Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti është raportuar më 8 korrik 2026, rreth orës 23:40, kur Stacioni Policor në Ferizaj ka pranuar informacion për një rast të dyshuar të kanosjes me armë zjarri.

Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar personat e përfshirë në incident. Në stacionin policor janë shoqëruar dy viktimat dhe një person i dyshuar.

Gjatë kontrollit, te i dyshuari F.A., 16 vjeç, policia ka gjetur një pistoletë me gas, së bashku me gjashtë fishekë.

Policia bëri të ditur se dy viktimat janë intervistuar, ndërsa i dyshuari nuk ka mundur të intervistohet, pasi ndodhej nën ndikimin e alkoolit.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i mituri është ndaluar për 24 orë, ndërsa ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprat penale "Kanosje" dhe "Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve". /Telegrafi/