Arrestohet një 27-vjeçar në Shtime, një person dërgohet në QKUK pas një rrahjeje
Një person është arrestuar në Shtime, pasi dyshohet se ka shkaktuar lëndime trupore ndaj një personi tjetër gjatë një rrahjeje të ndodhur të hënën mbrëma.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti është raportuar më 27 korrik 2026, rreth orës 22:10, në rrugën "Imer Devetaku" në Shtime.
"Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore dhe hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë shoqëruar në stacion policor personin e dyshuar, M.A. (27 vjeç)", thuhet në njoftimin e Policisë.
Personi i lënduar fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Shtime, më pas është transferuar në Spitalin Rajonal të Ferizajt, ndërsa për shkak të natyrës së lëndimeve është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim të mëtejmë.
"I dyshuari është intervistuar nga hetuesit në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë", njofton Policia.
Rasti është duke u hetuar nga Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor në Shtime. /Telegrafi/


