“Arif Hikmeti” rikthehet pas pesë vitesh në aktrim - merr vëmendje me ndryshimin e madh që ka pësuar në dukje
Publiku shqiptar e njeh më së miri si ‘Arif Hikmeti’, personazhin komik nga seriali shumë i dashur “O sa mirë”, por aktori Xhevdet Jashari është rikthyer në vëmendjen e ekranit pas një pauze të gjatë pesëvjeçare.
Pas një periudhe që e kaloi në Gjermani, Jashari ka vendosur të kthehet në atdhe dhe në pasionin e tij të vjetër - aktrimin.
I ftuar në një intervistë në “Tëvë 1”, aktori tregoi për rikthimin e tij të shumëpritur në skenë, duke pohuar se gjithçka ka ndodhur në mënyrë të natyrshme dhe në kohën e duhur.
“Pata prapë fat, hyra në momentin e duhur, në kohën e duhur dhe me skenar të duhur e rol të duhun,” u shpreh ai, duke treguar entuziazmin për projektin më të ri ku është përfshirë në serialin “Bashkallajk”.
Rikthimi i tij nuk është vënë re vetëm përmes rolit të ri, por edhe për ndryshimin e madh në pamje.
Nga pamja e dikurshme e ‘Arif Hikmetit’, karakterit që fitoi zemrat e publikut me gjuhën e tij të theksuar, Jashari tashmë vjen me një stil më modern dhe serioz, që reflekton edhe maturinë dhe përvojën e viteve larg skenës.
Ndryshimi në dukje është komentuar gjerësisht nga ndjekësit në rrjete sociale, shumë prej të cilëve janë befasuar nga transformimi i tij. /Telegrafi/


