Please enter at least 3 characters.

Ardian Gjini voton në Gjakovë, u bën thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, ka ushtruar të drejtën e votës në kuadër të procesit zgjedhor që po zhvillohet në vend.

Gjini ka votuar në Gjakovë, në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Fehmi Agani”, ku pas votimit ka bërë thirrje për pjesëmarrje të qytetarëve në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e ushtrimit të së drejtës demokratike.

“Sot është një ditë e mirë, mot i mirë. I ftoj qytetarët e Kosovës që të dalin të votojnë, ta marrin Kosovën në duart e veta”, deklaroi Gjini.

Ai shtoi se vendimmarrja për të ardhmen e vendit i takon qytetarëve dhe se vota e tyre është vendimtare për drejtimin që do të marrë Kosova.

“Kosova u përket vetëm qytetarëve, ata duhet me thënë fjalën e vet sot”, u shpreh ai.

Në përmbyllje të deklarimit të tij, Gjini uroi që procesi zgjedhor të përfundojë me sukses dhe të sjellë zhvillime pozitive për vendin.

“Urime këto zgjedhje, shpresoj që me sjellë ditë më të mira për Kosovën”, tha ai. /Telegrafi/