Arber Hoxha pranë largimit nga Dinamo Zagrebi
Përforcimet e fundit te Dinamo Zagrebi kanë shtuar ndjeshëm konkurrencën në skuadër, ndërsa disa lojtarë mund të largohen nga Maksimiri në ditët në vijim. Në mesin e tyre është edhe reprezentuesi shqiptar, Arbër Hoxha.
Sipas raportimeve të mediave kroate, Dinamo aktualisht ka një numër të madh lojtarësh në dispozicion dhe klubi synon ta zvogëlojë skuadrën para përfundimit të afatit kalimtar në disa kampionate.
Hoxha është një nga lojtarët që përmendet si kandidat për largim, veçanërisht për shkak të konkurrencës së madhe në pozicionet e krahut.
Me Mislav Orsic në skuadër, konkurrenca është rritur edhe më shumë pas ardhjes së Iker Almenas dhe Juan Nsokit, ndërsa edhe Luka Ivanusec mund të aktivizohet në krahun e majtë, pavarësisht se te Dinamo është afruar kryesisht për rolin e mesfushorit.
Në këto rrethana, Hoxha mund ta ketë të vështirë të sigurojë minuta të konsiderueshme gjatë sezonit.
Mediumi kroat thekson se Dinamo mund të kërkojë një shumë më të lartë për transferimin e tij, krahasuar me disa prej lojtarëve të tjerë që janë pranë largimit.
Megjithatë, një pengesë për një transferim të mundshëm mund të jetë fakti se Hoxha nuk ka shtetësi të një vendi të Bashkimit Evropian, gjë që, sipas mediave kroate, mund ta ngushtojë numrin e klubeve të interesuara për të. /Telegrafi/


