Aprilia dominim total në MotoGP me Jorge Martin që fiton garën
Jorge Martin i dha Aprilia një fitore të madhe në Çmimin e Madh të Francës në MotoGP, duke udhëhequr një podium historik të ekipit italian në pistën e Circuit Bugatti.
Spanjolli triumfoi për herë të parë që nga sezoni i tij kampion në vitin 2024, duke lënë pas shokun e skuadrës Marco Bezzecchi dhe pilotin e Trackhouse, Ai Ogura. Ky ishte gjithashtu podiumi i parë “1-2-3” në historinë e Aprilias në MotoGP.
Martin dha një sinjal të fortë në garën për titull, pasi arriti të parakalojë Bezzecchin, rival që deri tani nuk e kishte mposhtur në asnjë garë të dielën gjatë këtij sezoni.
Me këtë fitore, diferenca në renditjen e kampionatit u ngushtua në vetëm një pikë.
Moti në Le Mans krijoi shumë dilema para nisjes së garës edhe pse pritej shi, pista mbeti e thatë dhe skuadrat u përballën me zgjedhje të vështira për gomat.
Shumica e pilotëve përdorën gomën e fortë përpara, ndërsa emra si Alex Marquez dhe Fabio Quartararo zgjodhën variantin e butë.
Në start, pole position-i Francesco Bagnaia pati një nisje jo ideale, çka i lejoi Bezzecchit të merrte kryesimin, përpara Pedro Acosta dhe Quartararos.
Pas 16 xhirosh erdhi momenti vendimtar i garës, Bagnaia rrëshqiti dhe u rrëzua në “Dunlop Chicane”, duke humbur çdo shans për fitore. Ky incident hapi rrugën për Martinin dhe Ogurën, të cilët kishin menaxhuar më mirë gomat.
Martin parakaloi Acostën në xhiron e 18-të dhe nisi ndjekjen ndaj Bezzecchit. Me katër xhiro nga fundi, spanjolli realizoi parakalimin vendimtar dhe më pas administroi epërsinë deri në flamurin me kuadrate.
Nga ana tjetër, Ogura zhvilloi një fund gare shumë të forte, japonezi arriti të kalojë Fabio Di Giannantonio dhe më pas edhe Acostën, duke siguruar vendin e tretë dhe podiumin historik për Aprilian.
Renditja kryesore e garës:
Jorge Martin – Aprilia
Marco Bezzecchi – Aprilia
Ai Ogura – Trackhouse Aprilia
Fabio Di Giannantonio – VR46 Ducati
Pedro Acosta – KTM
Fabio Quartararo – Yamaha
Në fund, gara në Le Mans konfirmoi rikthimin e Jorge Martinit në formë pas një sezoni të vështirë të mbushur me lëndime, ndërsa Aprilia tregoi se tashmë është një pretendente serioze për titullin në Moto GP. /Telegrafi/


